BIK me ekspozitë “Bota kujton Srebrenicën” – Paraqiten dhimbjet dhe vuajtjet e viktimave

Prishtinë | 24 Tet 2024 | 10:23 | Nga Hasan Hoti

Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë organizuar të enjten ekspozitën fotografike “Bota kujton Srebrenicën” në Prishtinë, për të kujtuar masakrën dhe gjenocidin e 1995, ku mbi 8,000 burra boshnjakë u vranë, raporton Ekonomia Online.

Kjo ekspozitë ka paraqitur fotografi autentike që ilustrojnë dhimbjen dhe vuajtjet e viktimave, si dhe rrugëtimin e gjatë të kërkimit të drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm kundër njerëzimit.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se pas një krimi të tillë qëndrojnë pushtetet me qëllimin për të shfarosur një etni të shtypur.

“Spastrimi etnik është i ndërlidhur me përdorimin e dhunës dhe mbahet nga një regjim siç ishin serbët. Pas një krimi të tillë qëndrojnë pushtetet dhe njerëz me qëllimin për të zhdukur ose shfarosur një etni të shtypur. Në Bosnjë ishte qëllimi i spastrimit etnik e atij fetar të boshnjakeve siç ishte edhe në Kosovë në vitet 98-99 me shumë masakra si në Reçak, Abri, Mejë e shumë masakra tjera”, u shpreh Tërnava.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, ka thënë se si “boshnjakë që jetojmë në Kosovë, shprehim dhimbje të thellë në gjykimin e gjenocidit dhe gjithë asaj që ka kaluar në Bosnjë”.

“Kur e përmendim Srebrenciën, të gjithë neve na kaplon një dhimbje dhe një krijesë njerëzore nuk mund ta përjetojë ndryshe. Ky gjenocid ka ndodhur një populli vetëm se nuk i takonte një religjioni të njëjtë apo vetëm se nuk e kishte emrin Zoran apo Dragan. Ne si boshnjakë që jetojmë në Kosovë, shprehim dhimbje të thellë në gjykimin e gjenocidit dhe gjithë asaj që ka kaluar në Bosnjë dhe të njëjtën e ndjen edhe populli i Kosovës. Është një fakt se në OKB kemi vulosur 11 korrikun si datë që e gjithë bota do të flasë”, tha Rexhepi.

Ndërsa, në emër të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, foli Azra Aminoviq. Ajo falënderoi homologët e saj nga Kosova për këtë ekspozitë.

“Ju ftoj që ta shfrytëzojmë këtë ekspozitë për dialog të hapur dhe mirëkuptim të ndërsjelltë në mënyrë që ta ndërtojmë së bashku një shoqëri që kundërshton të gjitha format e urrejtjes dhe padrejtësitë. Nderim të veçantë u shprehim nënave të Srebrenicës, janë heroina të vërteta e të cilat mbeten frymëzim për të ardhmen”, deklaroi ajo.

Të ngjashme