Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ka shqyrtuar Projektligjit për Mbrojtjen nga Zhurma.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila nuk po pajtohet me nenin 4 të këtij projektligji, paragrafi 2, që i cilëson pajisjet akustike fetare, konkretisht ezanin e xhamive dhe kambanat e kishave si burim të zhurmës.
Fatmir Iliazi, përfaqësues i Bashkësia Islame të Kosovës, ka thënë se edhe njëherë e konfirmon qëndrimin e BIK-ut, që paragrafi 2.6 i nenit 6 i cili sqaron se ezani dhe kambanat nuk përbëjnë zhurmë të vazhdojë të mbetet në këtë ligj, raporton Ekonomia Online.
“Unë jam këtu edhe njëherë që ta rikonfirmoj qëndrimin e BIK-ut që ky paragraf të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe zërimi i pajisjeve elektroakustike të mos konsiderohet si zhurmë akustike. Do të thotë pika 2 dispozitat e këtij ligji për zhurmën nuk zbatohen nga zërmi i këmbanave dhe pajisjeve elektroakustike në kohën e riteve fetare. Si vërejtje e jona është që i njëjti paragraf të mbetet ashtu siç është propozuar më herët pasi që e dimë se është një kohë e gjatë që po debatohet rreth kësaj pike rreth zhurmës”, ka thënë ai.
Edhe deputetja nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi, është shprehur kundër asaj që ezani dhe kambanat të cilësohen si zhurmë.
“Bashkësia Islame janë vet që të bëhet një lloj sensibilizimi për kohë të caktuar për namazin e sabahut që është më herët. Le të jetë një standard për të gjitha komunat i pranueshëm, për të gjithë qytetarët. Mirëpo jo të hiqet krejt, ngase kur hiqet nga kjo pikë i bie që futet te politika e mbrojtjes nga zhurma”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Emilia Rexhepi e cila ka qenë anëtare e grupit punues në këtë ligj, ka deklaruar se ka qenë kundër që në këtë ligj të inkuadrohen edhe Bashkësitë Fetare.
“Unë e kam ngrit zërin që të mos inkuadrohen në këtë ligj bashkësitë fetare sepse kjo do të ishte nënçmuese për të gjithë pjesëtarët e përkatësive fetare dhe për bindjet e tyre fetare. Pothuajse një vit e gjysmë merremi me këtë projektligj e dimë që është mjaft i ndjeshëm dhe kjo ka qenë fyese dhe shumë përulëse që ezani i besimit edhe kambanave të kishave të caktohet anash nga të tjerët”, ka thënë ajo.
Adem Salihaj ka thënë se kjo çështje është e ndjeshme dhe se të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në projektligj kanë ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Unë dëshiroj vetëm të ju njoftoj sepse unë kam propozuar një term tjetër në projektligj termin zëri dhe kam thënë këto mos të trajtohen si zhurmë, por si zë në mënyrë që të mos t’i fyejmë ndjenjat e askujt por Komisioni nuk e ka pranuar mendimin me arsyetimin se në ligjet e të gjitha shteteve tjera figuron vetëm zhurmë dhe jo zëri”, tha ai.
Ish-ministri i MMPH-së, Ferid Agani, kishte propozuar në projektligj paragrafin 2.6 të nenit 6, në të cilin ezani dhe kambanat nuk përbënin zhurmë.
Komisioni ka konstatuar se në Turqi kjo çështje është rregulluar me tabelë me nivel të zërimit (decibel).
Por Bashkësia Islame e Kosovës, nuk po pajtohet që ezani të konsiderohet si zhurmë dhe për këtë ka shprehur vazhdimisht pakënaqësitë.