Bilall Sherifi nga Nisma thotë se presidenti Hashim Thaçi e ka pranuar sot në Mal të Zi se do t’i bëjë lëshime Serbisë.
Sherifi thekson se pas pranimit publik se në bisedimet përfundimtare Thaçi është i gatshëm të nënshkruaj vendime “që do të jenë të vështira për Kosovën”, e ndjen për obligim të deklaron se e sheh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës
Postimi i plotë i Bilall Sherifit:
KONCESIONE TË REJA NDAJ SERBISË RREZIK I RI PËR KOSOVËN!
Sot, mediet e ndryshme të Kosovës informuan se presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Mal te Zi deklaroi se: “Marrëveshja përfundimtare, që duhet të jetë obligative, do të jetë e vështirë për Kosovën, por nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë”!!!
Pohimi në një forum të tillë se “Marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën” është pranim publik nga ana e Hashim Thaçit se është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbise sepse edhe vet e pohon se “do të jenë të vështira për Kosovën”. Pas pranimit publik se në bisedimet përfundimtare është i gatshëm të nënshkruaj vendime “që do të jenë të vështira për Kosovën” e ndjej për obligim të deklaroj se unë shoh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës. Përveç deklaratës për vendime të “vështira për Kosovën”, Hashim Thaçi deklaroi se “Marrëveshja përfundimtare nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”!
Secili qytetar i Kosovës e shtron pyetjen ndaj një deklarate aq të papërgjegjshme se çka “nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”, që:
-Të pranojë krimin e gjenocidit që ky shtet kreu në Kosovë?
-Të pranojë riparimin e dëmeve të luftës?
-Të pranojë kthimin e mjeteve dhe fondeve të plaçkitura nga Kosova?
-Të pranojë dënimin e të gjithë atyre që vranë, dhunuan, plaçkitën dhe rrëmbyen edhe kufomat e shqiptarëve për të fshehur gjurmët e gjenocidit?
-Apo çka tjetër nga ajo që është tepër e rëndë për shqiptarët “nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”?
Edhe sikur mos të kishte asnjë arsye tjetër, kjo deklaratë e tij do të mjaftonte të mos i jepet besimi për të udhëhequr më procese të tilla të rëndësishme për vendin, pa marrë parasysh funksionin që ka aktualisht në kuadër të institucioneve të Kosovës. Kjo është e vetmja rrugë që të parandalohet nënshkrimi i vendimeve të “vështira për Kosovën”!