Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Prishtinë janë shfaqur billboarde me emrat e grave të vrara nga burra në Kosovë.
Organizata “Haveit” thotë se qëllimi është ngritja e zërit dhe parandalimi i vrasjeve të tjera.
“Edhe sa thirrje të humbura”, “Diana Kastrati”, “Zejnepe Bytyqi” – janë porositë që duhet ta zgjojnë ndjeshmërinë qytetare dhe institucionale për këtë fenomen.
Sipas aktivistes Lola Syla nga “Haveit”, simbolikë e këtyre billboardeve është ngritja e zërit për të parandaluar vrasjet e grave.
Mënyra e tillë e dhënies së porosive është inspiruar nga filmi i famshëm “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, në të cilin një nënë e pikëlluar i përdor tre billborde si mundësi të vetme për ta turpëruar policinë që nuk ka vullnet ta zgjidh misterin e përdhunimit dhe vrasjes së vajzës së saj, shkruan Klan Kosova.