Zbulimi i Christian Panuccit, mbrojtësi i Malmos Egzon Binaku, i cili bëri dy paraqitje shumë të mira në dy sfidat e tij të para me Shqipërinë pikërisht ndaj Izrealit dhe Skocisë, ishte një nga dy lojtarët e kombëtares kuqezi që dolën në konferencë për shtyp këtë të hënë nga resorti Tropikal në Durrës që është vendgrumbullimi i ekipit kombëtar.
Binaku vuri në dukje se pavarsisht humbjes ndaj Skocisë situata në skuadër është e mirë ndërsa shtoi se trajneri Panucci ka shumë besim tek ai.
“Atmosfera në skuadër është e mirë.Të gjithë lojtarët i kemi të mirë. Ndaj Izraelit do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Me Skocinë nuk kemi luajtur shumë mirë.Megjithatë, tashmë e dijmë se çfarë duhet të bëjmë për të triumfuar. Sigurisht kemi dëshirë të kualifikohemi në grup, në Ligën e Kombeve. Duhet të jemi psikologjikisht mirë. Personalisht jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në kombëtare, që trajneri ka sërish besim tek unë”.