Kryeministri Albin Kurti, tha se nuk ka informacione rreth bisedave të publikuara ndërmjet Milan Radojiçiq dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Kurti tha se nuk e ka parë e dëgjuar, por vetëm se di të thotë që lufta hibride ndaj Qeverisë do të intensifikohet.
“Në këto momente nuk kam as si ta shoh e as si ta dëgjoj. Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”.
Sipas përgjimeve të publikuar Millan Radojiçiq nuk dëshironte të bëhej pengesë për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë e informonte Mimoza Kusari-Lilën. Një përgjim mes Radoiçiqit dhe Kusari-Lilës dëshmon përpjekjen e shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me shefin faktik të Listës Serbe.
Fillimisht në konferencë Kurti ka thënë se me integrim në SEPA, bizneset dhe qytetarët parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti shtoi se Qeveria e tij është e para qw ka kaluar mbi 2 mijë vendimeve dhe 303 projektligje.
“Sot me vendimet e mbledhjes e kaluam numrin e mbi 2 mijë vendimeve dhe projektligjin e 303. Pra jemi Qeveria e parë që kemi kaluar numrin më të madh të vendimeve. Ligji që do të vijë në Kuvend për shërbimin e pagesave po edhe uljen e kostove të këtyre shërbimeve. Pas miratimit në Kuvend, i hap rrugë integrimit të sistemit tonë financiar me zonën SEPA (Single Euro Payments Area)”, u shpreh Kurti.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Sot, me vendimet e mbledhjes së 223-të të Qeverisë, e kaluam numrin prej 2000 vendimeve gjithsej e në total janë bërë 2009-të dhe po ashtu e kishim edhe projektligjin numër 300, me ç ‘rast arritëm deri në 303. Pra, është definitivisht Qeveria e Republikës së Kosovës e cila ka kaluar numrin më të madh të vendimeve e të projektligjeve në shtetin tonë të pavarur e në mes të këtyre vendimeve do të kisha theksuar edhe ligjin, që do të vijë në Kuvend për miratim atje, për Shërbimet e Pagesave, i cili synon që të rrisë sigurinë e shërbimeve të pagesave, integrimin e tyre, por edhe uljen e kostos për këto shërbime.
Me fjalë të tjera, ky projektligj që porsa e miratuam në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 223-të, pas miratimit edhe në Kuvend të Republikës, na integron në SEPA, në mënyrë që të ulen edhe kostot për qytetarët, të cilët nëpërmjet transfereve ndërbankare së bashku me bizneset, sipas një studimi të ‘’German Economic Team’’ të Berlinit, ka shkaktuar shpenzime prej rreth 55 milionë euro në vit. Pra nëpërmjet këtij projektligji që e miratuam në Qeveri, e së shpejti edhe në Kuvend do t’i kursejmë rreth 55 milionë euro në vit të qytetarëve dhe të bizneseve të cilët kanë qenë shpenzime si rezultat i transfereve ndërbankare të mëhershme. Gjithashtu kemi miratuar edhe projektligjin për Inspektoratin qendror të trashëgimisë kulturore por natyrisht më e rëndësishmja që bëmë në këtë mbledhje është në vigjilje të procesit të Berlinit dhe të Planit të Rritjes, planit për reforma dhe rritje të Bashkimit Evropian, idesë e cila është bërë projekt dhe do të zbatohet, i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për çfarë edhe tash ia kisha kaluar fjalën pa humbur kohë menjëherë zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Beslimi.