Bisedë në mes hakmarrjes dhe gjakmarrjes

Prishtinë | 10 Qer 2017 | 19:59 | Nga Migjen Kajtazi

Jam në apartamentin tim në Lozanë të Zvicrës, shikoj filmin “Behind the sun” (prapa diellit), film brazilian i bazuar në romanin e Ismail Kadaresë “Prilli i Thyer”.

Filmi trajton gjakmarrjen në mes dy familjeve dhe ashtu duke shikuar filmin seç fillova të mendoj për filmat që kam shikuar në kinema dhe në rrethin familjar dhe që tema e hakmarrjes ka qenë tema kryesore. Kujtoj filmat e Matt Damon ku spikatet hakmarrja dhe që në çdo hakmarrje autori i filmave gjente përkrahje të publikut qoftë me shikime të ngazëllyera të spektatorëve apo ndonjë herë me duartrokitje të publikut të pranishëm në kinema qoftë me shikueshmëri të madhe në shumë kinema anë e mbanë botës…

Hakmarrja që ndodhë në këta filma justifikohet me padrejtësinë që ka ndodhur dhe që viktima hakmerret duke mos i lënë vend askund një të padrejte që ka ndodhur.

Mundohem të dal nga këto mendime e të koncentrohem në filmin që jam duke shikuar po ja që mendimet janë më të forta se peizazhet e filmit, peizazhe të natyrës të Amerikës së Jugut, ku arat me kallamsheqer nuk kanë shije të ëmbël se presioni për hakmarrje në mes familjeve i ka dhënë shije të ithët kallamsheqerit. Ashtu papritur shkëputem nga filmi dhe futem prapë në mendime, kam mendime të radhitura sikur serialet televizive …

Këto mendime më çojnë në një bisedë imagjinare në mes Hakmarrjes dhe Gjakmarrjes.

Hakmarrja e shikon me kërshëri Gjakmarrjen dhe e falënderon që i është dhënë mundësia të bisedojë me të dhe ashtu pa pritur shumë i thotë Gjakmarrjes: Më thuaj, gjakmarrje si ja bëre ti të mbijetosh me shekuj në mesin e njerëzve?

Gjakmarrja duke ja ngulitur sytë hakmarrjes i thotë : po shiko, gjakmarrja ka qenë e pranishme pothuaj në të gjitha periudhat e kohës, janë shpjegime që tregojnë që njeriu qoftë modern qoftë i periudhës së lashtë, ka prirje për gjakmarrje.

Hakmarrja mbeti e etur nga përgjigjja e gjakmarrjes. Ajo nuk priti të përfundojë fjalën gjakmarrja dhe ja parashtroi një tjetër pyetje : nëse ka disa vende që kanë mundur të zvogëlojnë gjakmarrjen pse vendet tjera nuk arrijnë ?

Gjakmarrja pa dashur të citojë vende, fillon të shpjegojë që disa vende kanë arritur që gjykimin e një vepre jo të mirë të shkaktuar nga ndonjë keqbërës t`ia bartin organeve të shtetit.

Hakmarrja, duke dashur të dijë edhe më shumë për gjithë këto dallime në mes vendeve, futet në temë dhe ja parashtron një pyetje tjetër gjakmarrjes: po më thua së paku me cilin vend je shumë e kënaqur ku ke pasur jehonë dhe strehim me shekuj, si gjakmarrje?

Gjakmarrja, merr frymë thellë dhe me shpejtësi citon trojet shqiptare. Thotë që është shumë e kënaqur nga shqiptarët se janë nxënës të devotshëm të gjakmarrjes .

Hakmarrja duke parë se filloi të gjejë elemente ku mundet një ditë edhe ajo të fitojë forcë dhe të bëhet si gjakmarrja, i parashtroi edhe një pyetje tjetër gjakmarrjes: po si ja bëjnë shqiptarët të jenë aq nxënës të zellshëm të gjakmarrjes?

Gjakmarrja picërron sytë dhe vazhdon rrëfimin e saj: shqiptarët i përballuan shumë pushtime dhe kishin kodet e veta si formë e rezistencës dhe mos pranimit të pushtimeve po ja që edhe pas lirisë gjakmarrja gjeti vend në strofullin e hakmarrjes …

Hakmarrja e gëzuar nga ky lajm ku pa forcën e vetë dhe që gjakmarrja pranon që ishte mbështetur në forcën e hakmarrjes e pyet prapë gjakmarrjen: Po më thuaj, si u bëra unë aq e fortë te shqiptarët ku ti gjakmarrje e pranon që je mbështetur në forcën time?

Gjakmarrja i thotë hakmarrjes: pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria bëri çmos të më çrrënjosë dhe pothuaj ja arriti. Por, në të njëjtën kohë filloi hakmarrja kundër personave që nuk kishin ide të njëjta me klasën sunduese. Ashtu, unë fillova të fshihesha në hakmarrje dhe prita ditët e mia.

Hakmarrja: po kur erdhën ato ditë?

Gjakmarrja vazhdon rrëfimin : hakmarrja filloi dhe ishte e pranishme pothuaj gjysmë shekulli po hakmarrja fitoi forcë në Shqipëri atëherë kur nuk e priste kush, në kohën e ardhjes së demokracisë, hakmarrja u shndërrua në anarki dhe filloi gjakmarrja me të madhe .

Hakmarrja i thotë Gjakmarrjes: po çudi se shqiptarët nën sundimin sllav në Jugosllavi arritën të bëjnë pajtime e të marrin aksione jo vetëm kundër gjakmarrjes po edhe kundër hakmarrjes ?

Gjakmarrja vazhdon duke treguar që në fakt nuk e kishte pritur kurrë që do të ketë jehonë e sukses aq të madh aksioni i të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë në Kosovë. Në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, në emër të tokës shqiptare shumë gjaqe dhe hakmarrje u falën. Gjakmarrja shton që thirrja që dëgjonte atëherë « O Prite; Prite Anton Çetën » ishte thirrja që i kishte shkaktuar dhimbje të madhe .

Hakmarrja, duke e parë që Gjakmarrja filloi të zhytet në mendime, e pyet: po si ja bëre të mbijetoje prapë në trojet shqiptare në ish Jugosllavi ?

Gjakmarrja i thotë Hakmarrjes: gjithmonë kam gjetur prehje në ty, hakmarrje, kemi pritur, kemi punuar dhe në momentin e duhur kemi vepruar .

Po me kënd kemi punuar, kënd e kemi aleatë në këto troje? i thotë hakmarrja gjakmarrjes.

Po kemi shumë, shtonë gjakmarrja

Po më thuaj së paku një aleat se më duhet mua të forcohem e të bëhem një ditë, si ti e fortë?

Gjakmarrja filloi të qeshë më të madhe e unë ashtu i gjysmë hipnotizuar nga këto mendime shikoj që filmi kishte përfunduar, dhe në ekran ishin spotet e partive politike në Kosovë që premtonin se shteti do të forcohet . Ndërroj kanalin dhe shoh që në Shqipëri, për zgjedhje po ashtu klasat politike premtojnë fuqizim të shtetit. E prapë, vazhdoj të shikoj televizorin e në mendje kam sloganin « O prite prite Anton Çetën »… (albinfo.ch)

* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish mendimet e redaksisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme