Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë kurrë më mirë, e se nuk ka vend për brengosje, raporton Ekonomia Online.
Duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim e Dialog, ai u shpreh se Kosova është e gatshme për një marrëveshje finale por se Serbia nuk e ka vullnetin e njëjtë.
“Unë si kryenegociator kam mandat të qartë dhe atij mandati i përmbahem 100 për qind, në atë mandat s’ka asnjë lëkundje. Pozita e Kosovës në procesin e dialogut s’ka qenë kurrë më mirë dhe s’ka asnjë arsye për brenga apo skepticizëm në tërësi”.
“Muni me flejt shlirë”, u shpreh Bislimi.
Kjo shkaktoi të qeshura te deputetët, pasi para disa ditësh kryeministri Kurti tha se Bislimi zgjohet e bie të flerë me preokupimin për dialog.
“Ka angazhim nga Kosova të punojë drejt një marrëveshje finale por ka mungesë totale nga ana e Serbisë. Marrëveshja për energjinë nuk ka qenë e mirë. Ne do të fokusohemi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimi që është paramendua javën tjetër, të fillohet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Ka vonesa nga ana Elektroserverit për sigurimin e data bazës. Ne bazohemi ne vlerësimet që u japim proceseve”.
Tutje, Bislimi tha se në fund të vitit Kosova do të aplikojë edhe për statusin e kandidatit.
“Në fund të vitit do të aplikojmë për statusin e kandidatit. Procesi i dialogut është i rëndësishëm dhe kemi ftuar liderë politikë që të diskutojmë si duhet e të ecim përpara. Lideri i LDK-së ka ardhur dhe ka thënë ecni tutje nëse e zbatoni platformën e LDK për dialog”.
Ndërsa, ai u shpreh optimist për çështjen e vizave, dhe tha se shumë shpejt mund të dalin me lajme të mira.
“Është punuar bukur shumë të dëmtohet ky proces nga jashtë dhe brenda dhe me inskenime të ikjeve masive me foto false të vitit 2015 që ky proces të dëmtohet. Me viza jemi bukur mirë, kriteret janë përmbushur që në vitin 2018. Jam optimist që shpejt mund të dalim me lajme të mira, por ato duhet t’i nxjerrim kur i kemi në tavolinë sepse kemi përvoja të këqija me paralajmërime”.
“Ne kemi punuar shumë dhe po punojmë edhe me presidencën çeke që kjo të futet në agjendë, s’ka pasur kurrë më shumë deklarime që është momenti vendimtar për liberalizimin e vizave. Sa më shumë ta debatojmë këtë temë ne vetëm e dëmtojmë procesin”.