Zv/kryeministri Besnik Bislimi e ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezzo.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.”
Bislimi e ka falënderuar ambasadoren për kontributin, punën dhe përkrahjen.
“Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadoren për kontributin, punën dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në progresin, zhvillimin dhe rrugëtimin drejt integrimit evropian të vendit tonë. Ai vlerësoi lartësisht bashkëpunimin e ngushtë me ambasadoren në këto tri vite. Së bashku, përshkuan zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe dhe situatën në vend e rajon, si dhe trajtuan perspektivat për të tashmen dhe të ardhmen. Ambasadorja cilësoi si një prej momenteve më të veçanta në mandatin e saj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.”
Në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian dhe përgatitjet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes.
“Diskutuan dhe mbi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në procesin e integrimit evropian, dhe përgatitjet e vendit tonë në kuadër të Planit të Rritjes si instrument i rëndësishëm në përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është vendi i parë i cili ka drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe agjendën e reformave, duke dëshmuar jo vetëm nivelin e përgatitjes, por edhe vullnetin dhe gatishmërinë për hapa të rëndësishëm tutje.”
“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen e tij për bisedat e shumta produktive e konstruktive, zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Holandës si dhe i uroi ambasadores suksese të mëtejme në angazhimet e radhës.”