Bislimi flet nga Brukseli, mohon se refuzoi ta takonte Petkoviqin

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka mohuar pretendimet e bashkëbiseduesit të tij nga Beogradi, Petar Petkoviq, se pala kosovare ka refuzuar një takim trepalësh në dialog.

Sipas Bislimit, takimi i përbashkët ka pasur për qëllim përgatitjen e takimit të ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën boshnjake.

“Kam insistuar që të takohem me Petkoviqin. Mirëpo, duket se për këtë nuk ka qenë e interesuar pala serbe, e cila më pas ka dalë para mediave, duke theksuar se Bislimi ka refuzuar. Kjo do të konfirmohet nga vetë kabineti i Lajçakut”, u tha Bislimi gazetarëve në Bruksel.

Negociatorët kryesorë të Serbisë dhe Kosovës nuk u takuan të martën, megjithë përpjekjet e BE-së vazhdojnë për ta organizuar një takim të përbashkët.

Më shumë se dhjetë orë kanë zgjatur bisedimet mes Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se takimi i përbashkët nuk u zhvillua për shkak se Bislimi kishte refuzuar.

Të ngjashme