Bislimi kërkon liberalizmin e vizave për Kosovën

Prishtinë | 10 Mar 2022 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin, në Strasbourg.

Bislimi theksoi qëndrimin e Kosovës ndaj konfliktit në Ukrainë, duke u bashkuar me sanksionet e aplikuara nga Bashkimi Evropian kundrejt Rusisë.

Ai foli për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë. U shpreh se “BE-ja është përgjigjur në mënyrë të unifikuar e Kosova i është bashkuar frontit demokratik”.

Për sa i përket aplikimit për anëtarësim në BE, numri dy i Qeverisë së Kosovës tha se Rezoluta e Parlamentit Evropian që i bën thirrje institucioneve të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE është shumë inkurajuese edhe për ne.

Në këtë drejtim, ai ritheksoi progresin e Kosovës në kuadër të agjendës evropiane ERA II si dhe progresin e shfaqur nga Kosova në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik si dhe nevojën e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin në BE. Kjo, edhe për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë dhe parandalimin e influencës ruse në Ballkan. Ai u shpreh se është faktor shqetësues fakti se Serbia ka dështuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai bëri gjithashtu thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në fjalën e tij ritheksoi se Parlamenti ka votuar dy herë pro procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, por qytetarët e vendit mbeten akoma të izoluar, ndaj është e nevojshme përmbyllja e këtij procesi.

Në mbyllje ai potencoi se objektivi kryesor gjeopolitik dhe strategjik i Kosovës është anëtarësimi i ardhshëm në BE, ndërsa, dy synime të tjera përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, njofton Zyra për Komunikim me Publikun e Qeverisë së Kosovës përcjell Klankosova.tv.

Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi në mbledhjen e KPSA:

I nderuar Kryetar i Komitetit Romeo Franz,

I nderuar Shef i Njësisë për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, z. Maragos,

E nderuara shefe e Divizionit të Ballkanit Perëndimor nga EEAS, znj. Fenet,

E nderuara Kryetare e Delegacionit të Kosovës, znj. Kusari Lila,

Më lejoni të falënderoj Parlamentin Evropian, Komisionin për Çështjet e Jashtme (AFET) dhe secilin nga ju personalisht për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Ndërsa lufta dhe pushtimi në Evropë vazhdon, pamjet që shohim më kujtojnë vitin 1999 dhe ne si kosovarë e dimë se sa e rëndësishme është të kemi solidaritet dhe mbështetje evropiane.

Por sot, Evropa përballet me një kohë të rrezikshme dhe sfiduese, pas sulmit të pajustifikueshëm kundër popullit të Ukrainës.

Derisa BE-ja është përgjigjur në mënyrë të unifikuar, Kosova i është bashkuar frontit demokratik duke:

– Përafruar sanksionet ndaj Rusisë me Bashkimin Evropian.

– Miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës një rezolutë që dënon agresionin rus në Ukrainë.

– Shprehur gatishmërinë e qeverisë për të pritur 5 000 refugjatë, më pak se një vit pas pritjes së refugjatëve afganë në pritje të risistemimit.

– Pritur 20 gazetarë refugjatë ukrainas për të punuar në distancë dhe kemi ndarë 150 mijë euro për shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe shpenzime të tjera.

– Qytetarët e Kosovës, shoqëria civile, media dhe aktivistë kanë treguar akte të panumërta solidariteti me popullin e Ukrainës dhe kanë dënuar agresionin rus.

Ajo që ka ndodhur në Ukrainë duhet të jetë një thirrje për sigurinë në Evropë. Për vite me radhë, Kosova ka dhënë alarmin për kërcënimin e afërt nga përfaqësuesit rusë në Ballkan dhe kërcënimi i efekteve zinxhir është duke u afruar më shumë se kurrë. Faktor shqetësues më i madh është gjithashtu se Serbia ka dështuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Rezoluta e Parlamentit Evropian që i bën thirrje institucioneve të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE është shumë inkurajuese edhe për ne. Në këtë drejtim, Kosova e mirëpret këtë rezolutë, veçanërisht për shqetësimet e ngritura për faktorin destabilizues që përfaqëson Rusia në rajon dhe për mos-angazhimin e Serbisë me përafrimin e politikës së jashtme me atë të BE-së.

Për sa kohë që nuk ka një politikë të besueshme të zgjerimit të BE-së për rajonin, gjithmonë do të ketë një kërcënim destabilizues për rajonin.

Ky parlament ka votuar dy herë pro procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, por qytetarët e vendit mbeten të izoluar, pasi ky proces i liberalizimit të vizave ka krijuar skepticizëm të panevojshëm ndaj Unionit. Ne besojmë se Presidenca franceze ka një mundësi të madhe për të zgjidhur këtë çështje të vonuar prej kohësh dhe për t’i dhënë fund izolimit të kosovarëve dhe për të rikthyer kredibilitetin e BE-së.

Një përkrahje e dytë e nevojshme për Kosovën nga Parlamenti Evropian është që të përcjellim nga afër angazhimet dhe arritjet tona në lidhje me përparimet në reformat e BE-së. Më 1 prill 2022 Kosova mbush gjashtë vjet nga marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës (MSA). Që nga ajo kohë, institucionet kosovare kanë punuar për t’u përafruar me kriteret e Kopenhagenit të Bashkimit Evropian.

Kjo duhet t’ju bindë për vendosmërinë tonë për të përmbushur zotimin tonë për të dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE. Hapja e perspektivës së BE-së për Kosovën do të ishte një motivim i fortë për qeverinë dhe administratën për të vazhduar rrugën aktuale të reformave. Për të ilustruar këtë vit vendi pati një rritje ekonomike rekord prej 9.9%, rritje të eksporteve me 60%, rritje të të ardhurave tatimore prej 30%. Në luftën kundër krimit të organizuar, raportohet një rritje prej 13,4% në bastisjet e policisë, 75% rritje në përçarjen e grupeve të krimit të organizuar dhe një rritje prej 85% të aktakuzave për krime ekonomike dhe korrupsion.

Për një vit, vendi ka luftuar në mënyrë aktive korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe ka rritur pozicionin e tij me 17 vende në Transparency International dhe gjithashtu ka shënuar pikët më të mira në rajon në Indeksin Global të Krimit të Organizuar. Përveç kësaj, Kosova ka shënuar pikën më të lartë në rajon në Indeksin Botëror të Drejtësisë për sektorin e saj të sundimit të ligjit. Vetëm këtë muaj V-Dem i dha Kosovës notën më të lartë për demokracinë, pasi i mbajtëm dy zgjedhje të organizuara mirë dhe konkurruese vitin e kaluar.

Edhe pse Kosova vazhdon të shënojë rezultate të larta dhe shpesh është më e mira në rajon, ajo është e fundit në agjendën e BE-së. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka aplikuar për anëtarësim. 93% e kosovarëve mbështesin integrimin në BE dhe ka konsensus të gjerë pasi të gjitha partitë politike në të gjithë spektrin, duke përfshirë shoqërinë civile dhe mediat mbështesin Agjendën e BE-së. Në përputhje me mbështetjen në nivel të brendshëm dhe ritmin e reformave përmes MSA-së dhe ERA 2, ne qëndrojmë të përkushtuar në përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë duke përfshirë dialogun me Serbinë me synim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme e cila ka në qendër njohjen reciproke me qëllim që të arrijë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Objektivi kryesor gjeopolitik dhe strategjik i Kosovës është anëtarësimi i ardhshëm në BE. Ndërsa, dy synime të tjera përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Prandaj presim mbështetje nga Parlamenti Evropian dhe këtu do të rikujtoja modus operandi “diversitet në njohje, por unitet në angazhim” që do të thotë se mungesa e një qëndrimi të përbashkët mes shteteve anëtare për statusin e Kosovës nuk e pengon BE-në nga angazhimi me Kosovën – të njëjtën frymë presim edhe për aplikimin e Kosovës.

Në këtë fazë kërkojmë që Parlamenti Evropian të mbështesë aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Kosova pastaj do të tregojë gatishmërinë dhe kapacitetet për t’iu përgjigjur pyetësorit të KE-së. Le të fillojmë këtë ushtrim, i cili është a) i mirëstrukturuar dhe mundëson shqyrtim b) një motivim për administratën dhe qeverinë tonë dhe c) vendos një objektiv të qartë për ne – marrjen e një opinioni pozitiv për statusin e vendit kandidat.

Si përfundim, dhe duke cituar fjalimin e Presidentit francez para Parlamentit Evropian në fillimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së, na takon ne “të ripërtërijmë Evropën tonë për të përmbushur premtimet e saj për demokraci, përparim dhe paqe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme