Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për miratimin e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, është lajm i mirë dhe përfitues për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Kosova përfiton 882 milionë e 600 mijë euro, ndërsa 30% e kësaj shume janë grante ndërsa rreth 70 janë hua afatgjate.
“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.
“Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh Bislimi.
Adresimi i plotë i zëvendëskryeministrit Bislimi:
Sot po e shënojmë një hap shumë të rëndësishëm duke aprovuar agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, plan i cili ka për qëllim që rajonin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian, duke na ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike, përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike, si dhe qasjen në tregun unik të BE-së. Pra, ideja është që të përshpejtohet procesi i arritjes së reformave në anën tonë në mënyrë që ta përshpejtojmë edhe hyrjen në Bashkimin Evropian.
Për 4 vitet e ardhshme janë bërë të disponueshme nga Komisioni Evropian rreth 6 miliardë euro për 6 shtetet e rajonit si ndihmesë për arritjen e reformave, nga të cilat Kosova mund të përfitojë në maksimum 882,6 milionë euro. Këto fonde të destinuara për vendin tonë arrihen në atë rast kur ne i plotësojmë reformat për të cilat jemi dakorduar me Komisionin Evropian. Nga kjo shumë, rreth një e treta apo diku 253,3 milioneuro janë grante kurse pjesa tjetër janë hua afatgjate apo 629,3 milion euro. Kjo nënkupton që këto hua fillojnë të kthehen pas 10 viteve edhe atë me normë jashtëzakonisht atraktive të interesit dhe kthehen për një periudhë 40 vjeçare. Gjysma e fondeve pasi të zbatohen reformat shkojnë direkt në buxhetin e shtetit si mbështetje direkte buxhetore, kurse pjesën tjetër pastaj e thithim përmes projekteve investive në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor që njihet si WBIF.
Negocimin e agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes e kemi filluar që nga nëntori i vitit të kaluar përmes ekipit kryesor negociues që ka qenë brenda Zyrës së Kryeministrit dhe agjenda prek shumë fusha, pra në tërësi janë 5 fusha: Qeverisja, reforma e administratës publike dhe menaxhimin e financave publike; fusha e dytë ka të bëjë me Tranzicionin e gjelbër edhe digjitalizimin; fusha e tretë ka të bëjë me Zhvillimin e sektorit privat dhe mjedisin e të bërit biznes; e katërta merret me Zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit human; dhe fusha e fundit ka të bëjë me Vlerat themelore dhe sundimin e ligjit. Në kuadër të këtyre fushave ne kemi dakorduar 30 reforma të cilat pastaj janë operacionalizuar në 111 veprime konkrete të cilat kanë afat zbatimi deri në fund të vitit 2027 dhe për secilën prej këtyre reformave pastaj edhe kemi kostim që nënkupton shumën të cilën Kosova përfiton pas raportimit pozitiv për përmbushjen e këtyre reformave.
Kisha dashur që në vijim vetëm shkurtimisht t’i cek disa prej reformave që janë dakorduar:
– Tek administrata publike kemi forcimin e kapaciteteve administrative, krijimin e një sistemi transparent të kompensimit si dhe organizim më të thjeshtësuar të ministrive të linjës;
– Tek financat publike kemi plotësimin e kornizës ligjore dhe institucionale për prokurim publik dhe ndërmarrjen e reformave në menaxhimin e investimeve publike;
– Tek siguria kibernetike kemi përafrimin me direktivat dhe standardet e sigurisë të Bashkimit Evropian;
– Tek efiçienca e energjisë kemi zbatimin e Direktivës së Efiçiencës së Energjisë dhe Direktivës për Performancën Energjetike të Ndërtesave;
– Tek tregu apo reformat e tregut kemi transpozimin dhe zbatimin e Paketës për Energji të Pastër të Bashkimit Evropian;
– Tek klima e biznesit kemi mes tjerash lehtësimin e investimeve në sektorin privat dhe përmirësimin e mekanizmave për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja direkte sidomos në sektorët strategjik;
– Do të kemi edhe rritje të qasjes në financa dhe integrim të sistemit të pagesave, për të cilat edhe foli kryeministri;
– Tek arsimi do të kemi prezantimin e një sistemi arsimor të digjitalizuar duke zbatuar infrastrukturën digjitale nëpër shkolla; synojmë edhe rritjen e regjistrimit dhe cilësisë së arsimit në fëmijërinë e hershme; si dhe rritjen e cilësisë së arsimit dhe profesionit të mësimdhënësit;
– Tek tregu i punës zbatohen politika për rritje të pjesëmarrjes në tregun e punës të grupeve të caktuara siç janë gratë, të rinjtë dhe grupet e cenueshme; dhe punojmë drejt përafrimit të arsimit me nevojat e tregut të punës;
– Tek gjyqësori parashohim përmirësimin e performancës, integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit të sistemit tonë gjyqësor;
– Tek të drejtat themelore kisha veçuar forcimin e zbatimit të kornizës legjislative dhe strategjike për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore si dhe për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë;
Sot, po ashtu në kuadër të Planit të Rritjes është aprovuar edhe Lista e Projekteve Indikative me të cilat pastaj aplikojmë në Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe po flasim për projekte kryesisht infrastrukturore nga fusha e transportit, energjisë dhe infrastrukturës digjitale. Nga kjo mund të shohim se brenda 4 viteve të ardhshme shumë ndryshime të nevojshme dhe pozitive do të ndodhin nëpër disa sektorë, duke vazhduar kështu rrugën dhe orientimin tonë për zhvillim ekonomik dhe demokratik të shtetit.
Ju faleminderit shumë!