Bislimi: Kryeministri do të jetë prijetar i diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, ka thënë se 27 qershori është ditë historike për Kosovën.

“Jemi në procesin e dialogut gati një dekadë. Me gjithë mirënjohjen për BE-në në shumë aspekte dialogu ka çaluar. Tani jemi në një moment krucial për interesin e shtetit ku aleati ynë historik SHBA kanë marrë mbi supe barrën e finalizimit të dialogut që kjo sagë të mbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i jep fund kohës që kemi harxhuar”, është shprehur Bislimi.

Në Info Magazine, ai ka thënë se kush do t’i drejtojë bisedimet nga pala kosovare nuk ka dilema.

“Zyra e Kryeministrit do të jetë prijetare e diskutimeve që do të ndodhin në Shtëpinë e Bardhë. Është obligim moral dhe politik që nëse dikush ka të thotë diçka për dialog dhe të bëjë diçka atëherë atë mundësi ta shfrytëzojë maksimalisht”.

“Qëllimi final ynë si LDK është përfundimi i suksesshëm i dialogut duke mos u cenuar Kushtetuta. Në fund të ditës do të jenë deputetët që do ta ratifikojnë ose jo”.

“Nga frika e madhe që LVV ka shpreh kundrejt dialogut është cenimi i integritetit territorial. Hov i ka dhënë Presidenti me deklaratën të tij të mëhershme me çështje që kanë prekur me frazën “korrigjim” që është përkthyer në “shkëmbim”. Republika e Kosovës e 17 shkurtit është e njohur nga SHBA dhe funksionon në bazë të principeve të demokracisë. Ndryshimi i kufijve kërkon ndryshim të Kushtetutës. Për këtë duhen 2/3 e palës shqiptare dhe 2/3 e votave të minoriteteve”.

Të ngjashme