Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë për medie, së bashku me eurodeputetin Thijs Reuten në Strasbourg, ka falënderuar të gjithë ata që mbështetën Kosovën ndër vite deri në përfundimin me sukses të këtij procesi.
Bislimi theksoi se liberalizimi i vizave, i cili do të nisë nga 1 janari 2024, do të lehtësojë kontaktet mes njerëzve, do të forcojë lidhjet e kosovarëve me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së në rajon dhe do të rrisë mundësitë e biznesit, arsimit dhe kulturës për qytetarët e Kosovës.
‘’Që nga 1 janari nuk do të kemi më mijëra mundësi të humbura të qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në konferenca të ndryshme, gara sportive, shkolla verore dhe ngjarje të tjera. Kjo do të dërgojë një sinjal të fortë për qytetarët tanë se ne i përkasim Evropës’’, tha Bislimi.
“Sapo erdhëm nga ceremonia e nënshkrimit, ku liberalizimi i vizave për Kosovën më në fund u bë vendim zyrtar. Ky vendim do të publikohet në gazetën zyrtare pas 20 ditësh dhe mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në zonën Schengen nga 1 janari 2024. Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë me shumë pengesa përgjatë rrugës dhe u desh 11 vite që të konkludohej”.
Adresimi i plotë i Bislimit:
I nderuar z. Thijs Reuten,
E nderuara znj. Gërvalla
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sapo erdhëm nga ceremonia e nënshkrimit, ku liberalizimi i vizave për Kosovën më në fund u bë vendim zyrtar. Ky vendim do të publikohet në gazetën zyrtare pas 20 ditësh dhe mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në zonën Schengen nga 1 janari 2024. Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë me shumë pengesa përgjatë rrugës dhe u desh 11 vite që të konkludohej. Për katër vite procesi ishte në pritje në Këshill dhe dukej e pamundur të dilte nga ngërçi.
Megjithatë, ne ishim të përkushtuar që ta përmbyllim duke theksuar jo vetëm që kriteret për viza ishin përmbushur, por Kosova ka përparuar jashtëzakonisht në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtave themelore, si dhe në menaxhimin e migrimi. Këto arritje nuk mund të anashkaloheshin. Ne kemi punuar ngushtë me të gjitha vendet anëtare për ta realizuar këtë.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij procesi. Faleminderit Thijs që u siguruat që gjithçka të bëhej në kohën e duhur. Dua të falënderoj edhe ish raportuesen për viza nga S&D, znj. Tanja Fajon për përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në të kaluarën, raportuesen për Kosovën Viola von Cramon dhe eurodeputetin Lucas Mandl i cili ka qenë një zë mbështetës në Parlament. Falënderime shkojnë edhe për Presidencën Çeke dhe Suedeze të BE-së të cilat kanë shtyrë tutje këtë çështje në Këshill. Faleminderit të gjithë eurodeputetëve, zyrtarëve të Komisionit dhe Shteteve Anëtare, OJQ-ve në Kosovë dhe aktivistëve të shoqërisë civile dhe figurave publike të zëshme që e kanë mbështetur rastin tonë.
Duhet të përfshij dhe një falenderim të madh për anëtarët e kabinetit tim dhe kabineteve të të gjitha ministrive të përfshira në proces. Një falënderim i veçantë për nëpunësit civilë të Kosovës në institucionet tona, që janë themel i qeverisjes sonë dhe janë në krye të zbatimit të reformave. Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, dua të falënderoj qytetarët tanë për durimin e tyre.
Liberalizimi i vizave do të lehtësojë kontaktet mes njerëzve, do të forcojë lidhjet tona me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së në rajon dhe do të rrisë mundësitë e biznesit, arsimit dhe kulturës për qytetarët tanë. Ne gjithashtu do të fillojmë fushata informuese për t’u siguruar që ata të jenë të informuar mirë se çfarë është e çfarë nuk është liberalizimi i vizave.
Çdo qytetar i Kosovës e di se sa i vështirë, i shtrenjtë dhe burokratik është aplikimi për marrjen e vizës. Ishte veçanërisht poshtëruese kur pas këtij procesi kërkues, një qytetari i refuzohej viza. Megjithatë vitin e ardhshëm qytetarët tanë nuk do t’i nënshtrohen një procesi të tillë.
Vitin e ardhshëm nuk do të kemi raste si ai i Eroll Bilibanit, drejtorit të Dokufestit, një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit dokumentar në Kosovë, i cili mori ftesë zyrtare nga Berlinale, por udhëtimi i tij u anulua nga refuzimi i vizës.
Nuk do të kemi raste si ai i Nehare dhe Era Janjevës, dy të rejave të pingpongut, të cilave iu refuzua viza për pjesëmarrje në kampionatin evropian të pingpongut. Nuk do të kemi raste si ai i Jeton Nezirajt, dramaturgut kosovar, i cili pas dhënies së çmimit “Evropiani i Vitit”, është dashur të anulojë shfaqjen e tij në një festival teatror sepse ai dhe ekipi i tij nuk kanë mundur të marrin viza. Pas kësaj ngjarjeje ai tha: “Ne qytetarëve të Kosovës, regjimi i vizave na është kthyer në një frikë që synon të na përulë, poshtërojë dhe çnjerëzojë”.
Që nga 1 janari nuk do të kemi më mijëra mundësi të humbura të qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në konferenca të ndryshme, gara sportive, shkolla verore dhe ngjarje të tjera. Kjo do të dërgojë një sinjal të fortë për qytetarët tanë se ne i përkasim Evropës.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kujtojmë se para së gjithash ky proces është për njerëzit. Është për studentët që tani mund të eksplorojnë kontinentin e tyre; është për artistët vendas që tashmë mund të ndjekin ekspozitat e tyre jashtë vendit; është për ndërmarrësit nga Kosova që tani mund të zhvillojnë mundësitë e tyre të biznesit; dhe për prindër e gjyshër që tani mund të vizitojnë fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Është për të sjellë më afër qytetarët e Kosovës dhe të BE-së.
Qytetarëve të Republikës së Kosovës, urime liberalizimin e vizave!
LEXO EDHE: