Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar në orët e mbrëmjes lidhur me takimin që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati sot paradite me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.
Bëhet e ditur se në takim u bisedua rreth diskutimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, “fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm”.
Sipas njoftimit, Bislimi ka bërë të qartë se për palën kosovare marrëveshja është valide në tërësinë e saj.
“Sa i përket rregullores së BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Në takim u bisedua rreth diskutimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin Hovenier mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim, fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm.
Ai shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj.
Sa i përket rregullores së BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
U trajtuan edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.