Ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë se paratë e Pakos Emergjente Fiskale nuk mund të përdoren për kontestet ligjore të Telekomit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimi tha se Qeveria Kurti, ka ndarë 20 milionë euro si subvencionim për ndërmarrjet publike që ishin përballur me vështirësi financiare si pasojë e situatës emergjente të shëndetit publik.
Ai tha se masa kishte si synim ofrimin e likuiditetit të përkohshëm për këto ndërmarrje.
“Gjatë implementimit të masës, MEPTINIS kishte themeluar një komision me detyrë që të trajtojë kërkesat e ndërmarrjeve publike, të identifikojë ato nevoja për mbështetje që i dedikoheshin vështirësive të dala nga masat parandaluese të qeverisë dhe të përcaktojë shumën e subvencionimit për secilën kompani”, ka shkruar Bislimi.
Ai tha se “kompania Devolli dhe përmbaruesi i caktuar për këtë rast duhet të jenë në dijeni që me marrjen e këtyre mjeteve janë jashtë kornizave ligjore dhe rrjedhimisht qeveria në ardhje do të veprojë konform kompetencave të veta për të siguruar rivendosjen e rregullit”.
Postimi i plotë:
PARATË E PAKOS EMERGJENTE FISKALE NUK MUND TË PËRDOREN PËR KONTESTET LIGJORE TË TELEKOMIT TË KOSOVËS
Në kuadër të pakos emergjente fiskale, Qeveria Kurti, në masën e 4, ka ndarë 20 milionë euro si subvencionim për ndërmarrjet publike që ishin përballur me vështirësi financiare si pasoje e situatës emergjente të shëndetit publik. Masa kishte si synim ofrimin e likuiditetit të përkohshëm për këto ndërmarrje.
Gjatë implementimit të masës, MEPTINIS kishte themeluar një komision me detyrë që të trajtojë kërkesat e ndërmarrjeve publike, të identifikojë ato nevoja për mbështetje që i dedikoheshin vështirësive të dala nga masat parandaluese të qeverisë dhe të përcaktojë shumën e subvencionimit për secilën kompani.
Pjesa më e madhe e mjeteve të alokuara nga masa 4, me vendim të komisionit i ishte ndarë Telekomit të Kosovës dhe nga ndërmarrja është kërkuar që këto mjete të përdoreshin ekskluzivisht për adresimin e vështirësive të dala nga situate emergjente.
Mjetet financiare që i janë marrë Telekomit të Kosovës nga kompania zhvatëse gjatë ditës së djeshme, janë të alokuara nga pakoja emergjente, dhe të njejtat me vendim të qeverisë Kurti mund të përdoren vetëm për adresim të problemeve të dala nga masat parandaluese të qeverisë. Çfarëdo përdorimi alternativ përbën keqpërdorim të mjeteve dhe do duhej të sfidohet nga Qeveria Koti.
Kompania Devolli dhe përmbaruesi i caktuar për këtë rast duhet të jenë në dijeni që me marrjen e këtyre mjeteve janë jashtë kornizave ligjore dhe rrjedhimisht qeveria në ardhje do të veprojë konform kompetencave të veta për të siguruar rivendosjen e rregullit.