Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka quajtur banale pyetjet nëse e merr gjumi natën deri në impelemtimin e marrëveshjes për regjistrimin e konsumatorëve në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kritikuar gazetarët për pyetjet në një paraqitje para mediave në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas raportimit në Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
“Unë mendoj që niveli i seriozitetit të juaj përtej këtyre pyetjeve banale”, tha shkurt Bislimi, teksa tha se e rëndësishme është që kompania “Elektrosever”, t’i përmbahet marrëveshjes.
“Është e paarsyeshme nga ana e “Elektroseverit” të cilat synojnë minimin e marrëveshjes. Ne nuk duhet të biem pre e tyre. Për mua është e rëndësishme që korniza e përgjithshme prej 100 ditëve të respektohet dhe pastaj do merremi me BE-në”, ka thënë Bislimi.
Pas raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, është momentum i mirë që Kosova ta përfitojë liberalizimin e vizave.
Por sa i përket datës se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, Bislimi ka kërkuar të kursehet, duke thënë se qytetarëve iu intereson liberalizimi e jo spekulimi.
“Nuk e di pse po flisni për pikën zero në vend se të flisni për implementim të marrëveshjes. Marrëveshja ka 100 ditë, dhe ne jemi të interesuar ta zbatojmë marrëveshjen. E ardhmja nuk është shkruar ende. Nuk e di si e kanë disponimin. Natyrisht që e kemi nënshkruar për ta zbatuar. Është një momentum i ri në procesin e integrimeve evropiane procesi ka ngecë për shkak të mosgatishmërisë së Bullgarisë që të hapë rrugën Maqedonisë së Veriut. Me vendimin e djeshëm është krijuar momentum i ri. Mendoj që përfitojmë te procesi i liberalizimit të vizave. Mendoj që jeni lodh me data në të kaluarën. Qytetarëve iu intereson m’u liberalizua, e jo me spekulu. Vendimet i merr BE-ja dhe është e palogjikshme të na pyetet neve për data”, tha Bislimi.
Replikat e zv/kryeministrit Bislimi me gazetarët:
Gazetari: A mund të rikthehet në pikën zero procesi, nëse vazhdon prolongimi prej Elektroseverit?
Bislimi: Po unë nuk e di pse po flisni për pikën zero në vend se të flisni për implementim të marrëveshjes.
Gazetari: Nuk po implementohet.
Bislimi: Po marrëveshja ka 100 ditë. Në qoftë se keni interesim të kthehet në pikën zero, atëherë kthehemi, por ne nuk jemi të interesuar. Ne jemi të interesuar ta zbatojmë marrëveshjen.
Gazetari: A ekziston mundësia që marrëveshja të prishet dhe të rikthehet pagesa prej 10 milionë eurove?
Bislimi: Po nuk e di, se e ardhmja nuk është shkru ende.
Gazetari: Si është disponimi?
Bislimi: Po unë nuk e di si është disponimi. Nuk rri me këta të Elektroseverit.
Gazetari: Jeni takuar edhe me Lajçakun. A ka disponim dhe a shihni mundësi që të zbatohet kjo marrëveshje?
Bislimi: Natyrisht që shihet! Për atë e kemi nënshkru [marrëveshjen]. Për me zbatu.
Gazetari: A keni ndonjë datë kur do të ndodhë liberalizimi i vizave?
Bislimi: Unë mendoj që jemi lodhë me data në të kaluarën. Nuk e di pse bëhet kjo pyetje për data. Qytetarët ju intereson me u liberalizu vizat, jo me spekulu. Nuk e marrim ne vendimin, vendimin e merr Bashkimi Evropian. Është e palogjikshme që të pyetemi ne për data, ashtu siç ka qenë e palogjikshme ata në të kaluarën dhe ju ka dhënë data, kanë krijuar narrativë të gabueshme.