Zëvendëskryeminstri, Besnik Bislimi, ka thënë që qeveria e Kosovës e ka trajtuar me seriozitet të lartë temën e dialogut me Serbinë, duke listuar edhe njëherë pikat që thotë t’u jenë përmbajtur, raporton Ekonomia Online.
“Në kuadër të angazhimit të katërt, Qeveria e ka trajtuar me seriozitet të lartë edhe temën e dialogut me Serbinë duke e angazhuar si kryenegociator zëvendëskryeministri ne parë të qeverisë”, ka thënë Bislimi në Kuvend.
“Kjo ka dëshmu një dallim thelbësor si në raport me qasjen e palës serbe, ashtu edhe me atë të qeverisë paraprake. Në kuadër të dialogut të zhvilluar ne kemi etabluar disa principe bazë të cilave u jemi përmbajtur gjatë raundeve të bisedimeve qoftë në nivel të krerëve shtetërorë ashtu edhe në atë të kryenegociatorëve”.
Ai i përmendi principet të cilave qeveria u është përmbajtur si principi që do të diskutohet vetëm për çështjet e mbetura në kuadër të një marrëveshjeje të tërësishme që synon normalizimin e plotë të raporteve me Serbinë.
“Në këto marrëveshje duhet të trajtohen temat e pambyllura midis dy shteteve dhe të ndërtohen rreth njohjes reciproke, dhe se në asnjë rast nuk do të diskutohet për temat që e vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit, si dhe nuk do të hidheshin në tavolinë të negociatave, çështjet e brendshme të Kosovës si ka ndodhur më parë. Tema e të pagjeturve është nxjerrë nga ky princip për shkak të urgjencës që rrethon të njëjtën dhe për të është biseduar gjatë secilit raund të negociatave”, shtoi mes tjerash Bislimi.