Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se si rrjedhojë e zvogëlimit të barrës administrative, qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës iu janë kursyer 3.5 milionë euro këtë vit, raporton Ekonomia Online.
Bislimi, në prezantimin e qasjes së Qeverisë së Kosovës për Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2025-2028, ka thënë se Qeveria po synon digjitalizimin e 100 shërbimeve vitin e ardhshëm.
Ai ka theksuar se ky proces është shumë i rëndësishëm për vendin dhe për agjendën e reformës së BE-së.
“Dokumenti i rëndësishëm për gamën e shërbimeve që shteti ofron, përbën një hap thelbësor për krijimin e një administrate publike të përgjegjshme, transparente dhe një administratë që krijon kushte të favorshme për qytetarët dhe bizneset”.
“Nën mbikëqyrjen e kabinetit tim, janë arritur një seri rezultatesh. Raporti për vendin, kur bëhet fjalë për zvogëlimin e barrës administrative, tregon se zbatimi i programit ka treguar progres të avancuar”.
Ai ka thënë se zvogëlimi i barrës administrative, luan një rol të madh edhe në reformat e parapara për vendin nga BE-ja.
Sipas tij edhe një mori shërbimesh janë në proces të digjitalizimit, si ato për autoshkolla, noterizim, inxhinieri, shëndetësi…
“Jemi duke punuar vazhdimisht në zvogëlimin e barrës administrative. Kemi trajnuar deri 550 zyrtarë të nivelit qendror e lokal. Janë shqyrtuar mbi 200 akte juridike dhe 30 koncept dokumente. Është finalizuar digjitalizimi i 12 shërbimeve të profesioneve të lira. Janë dërguar në ekzekutim 27 shërbime të Agjensionit për Veterinë. Jemi siguruar të ndërmarrim ndryshimet e nevojshme, është në finalizim digjitalizimi i shërbimeve të autoshkollave, noterëve, inxhiniereve, odave të shëndetësisë, mes tjerash”, tha Bislimi.
Kalkulimet vjetore, ai tha se po tregojnë se brenda një viti qytetarëve dhe bizneseve u kursehen deri në 3.5 milionë euro.
”Kalkulimet vjetore po na tregojnë se brenda një viti do t’u kursejmë qytetarëve dhe bizneseve deri në 3.5 milionë euro. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky proces.”
“G”Gjatë vitit 2025, të gjitha koncept-dokumentet dhe aktet juridike do të shqyrtohen dhe do të zvogëlohet kjo barrë administrative. Krejt kjo do të jetë në harmoni të plotë me parimet. Gjatë vitit që vjen, do të fillojë digjitalizimi i plotë i granteve dhe subvencioneve”, ka thënë Bislimi.
Për vitin tjetër, Bislimi ka thënë se synojnë t’i thjeshtësojnë 100 shërbime të tjera.
Johannes Madsen, udhëheqës i Seksionit të Bashkëpunimit, nga Zyra e BE-së tha se ka premtuar përkrahje në vijim për digjitalizimin e shërbimeve.
“Janë disa hapa reforme konkrete të cilat janë miratuar nga qeveria për t’i përfshirë në digjitalizim dhe që të ulet barra administrative. Ka disa reforma që duhet të ndërmarren dhe zyra ime do të përqendrohet në vitet në vijim”, ka thënë Madsen.
Joern Rohde, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë tha se një pjesë e rëndësishme programit është ulja e barrës administrative që ulet nëpër komuna, sipas tij, pjesë e grantit të performancave.
“Ulja e barrës administrative mbetet hap kyç për ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët dhe bizneset. Shërbimet e digjitalizimit theksojnë atë që keni përmendur dhe efektet praktike. Për krahasim, ka pasur 900 aplikacione, ndërsa tani askush nuk ka paraqitur aplikacione në mënyrë fizike; kjo tani po kryhet në mënyrë online. Dua të nënvizoj se një pjesë e programit është barra administrative që ulet nëpër komuna, e cila është pjesë e grantit të performancës. Komunat duhet ta matin këtë indikator nga viti i ardhshëm”, ka thënë Rohde.
Jürg Sprecher, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë tha se sistemet e vjetërsuara krijojnë pengesa të panevojshme, andaj theksoi se Qeveria e Kosovës po u mundëson bizneseve që të mos kenë ngarkesa të nevojshme dhe po promovon konkurrencën e drejtë.
“Për shumë kohë, Kosova dhe Zvicra kanë pasur një partneritet që bazohet në besim të ndërsjellët, dhe kemi punuar për një qeveri demokratike. Kemi punuar me Qeverinë e Kosovës tash e 8 vjet për të reduktuar barrën administrative dhe për të informuar inspektimet e bizneseve. Kjo ndikon në uljen e barrës administrative dhe lehtësimin e procedurave, duke kursyer kohë dhe duke kontribuar në krijimin e mirëbesimit dhe bashkëpunimit. Sistemet e vjetra do të krijojnë pengesa të panevojshme. Qeveria e Kosovës mundëson që bizneset të lulëzojnë dhe të mos kenë ngarkesa të panevojshme, duke promovuar konkurrencën e drejtë”, ka thënë Sprecher, raporton Ekonomia Online.