Biznesi në Shqipëri rrit punësimet

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Numri i ndërmarrjeve që krijojnë punësim masiv u rrit me 7.6 për qind vitin e kaluar, por sërish sipërmarrja shqiptare dominohet në pjesën dërrmuese nga bizneset e vogla të mbijetesës.

Të dhënat janë raportuar nga Instituti i Statistikave në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve.

Sipas INSTAT, në fund të vitit të kaluar Shqipëria numëroi 1967 biznese të mëdha me mbi 50 punonjës ose 139 ndërmarrje të mëdha më shumë se sa në vitin 2017. Por pavarësisht kësaj rritje, numri i korporatave në ekonominë shqiptare është thuajse i papërfillshëm duke zënë vetëm 1.2 për qind në totalin e bizneseve.

Sipas INSTAT, aktualisht Shqipëria numëron rreth 163 mijë biznese aktive. Por pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve ose rreth 90 për qind e tyre janë të vogla dhe kanë nga 1 deri në 4 punonjës. Ky raport ka mbetur thuajse i pandryshuar prej disa vitesh, çka tregon se biznesi shqiptar rritet ngadalë dhe me vështirësi.

Numri shumë i ulët i korporatave është një dobësi jo e vogël strukturore për ekonominë shqiptare. Korporatat janë jo vetëm investitorët më të mëdhenj në ekonomi, por edhe burimi kryesor i punësimit dhe rrogave më të larta për punonjësit.

Sipas INSTAT, ndonëse aktualisht korporatat e mëdha zënë vetëm 1.2 për qind në numrin total e bizneseve, ato japin pjesën më të madhe të investimeve dhe sigurojnë gati gjysmën e punësimit total. Ndërkohë që bizneset e vogla përbëjnë 90 për qind të ndërmarrjeve, por japin vetëm 33 për qind të të punësuarve, që edhe ky është kryesisht vetëpunësim pa pagë. /TCh/Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme