Biznesi shqiptar i Medvegjës së harruar

Prishtinë | 24 Sht 2018 | 13:36 | Nga

Intervistë me biznesmenin nga Medvegja, Muharrem Salihu, president i “Mela Holding Group Spa” dhe Medinvest.

I nderuar z. Salihu, shkak i intervistës ishte investimi juaj në Medvegjë në Luginën e Preshevës. Rëndësia e investimit e tejkalon thjesht vlerën ekonomike, por mbi të gjitha jep shpresë për mbijetesën shqiptare në këtë rajon autokton shqiptar, por të varfër. Mund të na tregoni shkurtimisht se çfarë përfaqëson ky investim në punësim dhe në vlerë kapitali?

Një politikë e mirë ndërton, hap vende të reja pune dhe funksionon si tregues për forcimin dhe shëndoshjen e ekonomisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të gjenerojë të ardhura më të larta dhe të rriti mireqenien e qytetarëve. Por, për kete gjë ne Serbinë Jugore nuk mund te krenohet askush, vecanerisht ne shqiptarët në Medvegjë. Kjo ndodh sepse në trojet autoktone shqiptare në Serbinë Jugore zbatohen politika “zhvillimore” te personalizuara, të cilat sjellin prapambetje sociale, politike dhe ekonomike për ne shqiptarët, si dhe shkelje të të drejtave tona, duke arritur majën me fshirjen e adresave te popullates autoktone shqiptare dhe duke manipuluar gjendjen tonë demografike.

Përtej dashurisë për vendlindjen dhe prirjes për zhvillim biznesi, arsyet e këtij investimi i gjejmë edhe te pamundesia njerëzore për te qëndruar indiferent ndaj një realiteti të dhimbshëm dhe një gjendje ekonomike tejet te renduar të shqiptarëve ne Medvegjë. Sot, si kompani, kemi kaluar etapën embrionale të investimit, që zgjati 4 vite për arritur ne nivelin e sotëm. Vonesa në përmbylljen e kësaj faze të investimit ka të bëjë me faktin se ne Republikën e Serbisë nuk respektohet e drejta e pjesëmarrjes qytetare ne shit-blerjet publike. Ky fakt është më shumë i shprehur tek anëtarët e bashkësive etnike që jetojnë në Serbi, e ne vecanti ne zonat kufitare, sic është Medvegja. Zbatimi i kësaj politike diskriminuese, në rastin tonë solli vonesë në kohë në regjistrimin e pronës duke e stërzgjatur dhe e stërpaguar disa here procesin e sigurimit të pronësisë mbi pronën ku sot është ndërtuar fabrika. Deri më sot, ky investim fillestar i realizuar prej disa miliona Euro ka hapur mbi 400 vende të reja pune dhe është me perspektivë rritje në të ardhmen. Investimi parashikohet të rritet jo vetëm në buxhet dhe avantazhet do të jenë të shumta, ndaj me kohë përfitimet do te shihen në gjithë rajonin ku shtrihen komunat autoktone shqiptare dhe përtej tyre.

Sipas vlerësimit tuaj cilat janë problematikat kryesore te sotme si dhe mundësitë për zhvillim ekonomik në Medvegjë dhe përgjithësi në Luginën e Preshevës?

Problemet më themelore shfaqen në zbatimin e ligjeve në mënyrë përzgjedhëse, duke nëpërkëmbur komunitetin shqiptar në të gjitha sferat e jetës, përfshirë këtu edhe pengesat reale që na vendosen neve si investitorë për hapjen e bizneseve te reja. Këto politika diskriminuese i gjejmë të zbatuara për fatin e keq në të tri komunat autoktone shqiptare në Serbinë Jugore që njihen si Lugina e Preshevës, por më të theksuara i gjejmë në Medvegjë, ku zbrazja e trojeve është në ritme alarmante.

Cili ka qenë qëndrimi i autoriteteve lokale dhe qendrore të Serbisë ndaj investimit të një biznesmeni shqiptar në zonën e Medvegjës?

Përveç të qenit investitor dhe biznesmen, unë jam edhe qytetar shqiptar i Medvegjës me të drejta të plota që m’i njeh ligji dhe ky investim kryhet në vendlindjen time. Ndaj investimit të kompanisë Medinvest, autoritetet vendore serbe vazhdojnë të bëjnë indiferentin publik, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër, të gjithë pa përjashtim janë interesuar për të punësuar ndonjë nga të afërmit e tyre në fabrikë, gjë të cilën ne e kemi mirëpritur dhe aktualisht jemi duke e bërë, sepse ne nuk kemi paragjykime etnie, feje apo krahine. Përkundrazi, qëllimi i kompanisë Medinvest është jo vetëm ekonomik, por edhe social përmes ruajtjes së harmonisë ndëretnike, të cilën po punojmë ta realizojmë përmes vlerësimit dhe zbatimit të bashkëjetesës mes entiteteve si një vlere e shtuar për shoqëritë demokratike dhe duke mos vepruar në asnjë rast si diskriminues ndaj etnive të ndryshme në ne.

Ndërkohë, politika qendrore serbe po vëzhgon me një kujdese të veçantë, por me prirje keqdashëse ndaj personit tim. Këtë gjë e gjejmë të shprehur edhe përmes prononcimit të disa medieve te tyre si: Serbia Danas apo gazeta Alo.rs, por ndërkohë shohim se askush nga autoritetet vendore të Medvegjës nuk i kundërshtoi këto qëndrime të pavërteta. Akuzat të tilla se unë përmes kompanisë që drejtoj synojë të kthej të shpërngulurit, apo se kam blerë prona nga serbët, etj. janë jo vetëm dashakeqe dhe të pabaza, por shpërndajnë edhe frymë përçarje mes etnive që bashkëjetojnë në Medvegjë.

Cilat janë raportet tuaja me vendimmarrjen politike të Shqipërisë dhe Kosovës për te ndihmuar në rritjen e investimeve në fusha te ndryshme në Luginën e Preshevës, për ndikuar në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në të tri komunat, me qellim shmangien e largimit të shqiptareve dhe rritjen e mirëqenies së tyre?

Qeveritë shqiptare të dy shteteve duhet te lirohen nga inferioriteti karshi Serbisë, si pasojë, kanë arritur deri aty sa shpesh here duke u sjellë si “aleate” kanë vepruar në dëm të neve shqiptarëve në Serbi. Lejomëni të përmend marrëveshjen për lëvizjen e “lire” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila kufijtë e Kosovës Lindore apo Serbisë Jugperëndimore nuk i trajton në mënyrë të njëjtë sikurse kufijtë e Kosovës Veriore, duke e bërë një marrëveshje të njëanshme dhe me mjaft problem e vështirësi për zbatim në terren. Pikërisht, marrëveshja e personalizuar për rajonin tonë vazhdon të jetë pengese për çfarëdo nismë te re ekonomike që ndërmerret, ndërkohë që nuk duhet të jetë kështu.

Në Medvegjë nuk kemi infrastrukturën më minimale si kusht baze për jetesë e më pas për zhvillim të biznesit. Edhe aeroporti i Prishtinës që ndodhet më afër Medvegjës, praktikisht nuk mund te përdoret prej te huajve që dëshirojnë dhe planifikojnë të investojnë në këto hapësira. Kjo ndodh sepse marrëveshja e njëanshme për lëvizje të lire njeh si kufi zyrtar vetëm kufijtë veriorë mes Kosovës dhe Serbinë dhe jo pjesën tjetër të kufirit. Si pasojë, investitorët që vijnë nga aeroporti i Prishtinës, detyrohen të udhëtojnë në drejtim të veriut të Kosovës, të futen në Serbi dhe vetëm prej këtej të arrijnë në Medvegjë duke kaluar mbi 300 km rrugë, ndërkohë që aeroporti i Prishtinës nga Medvegja është vetëm 60 km. Ky është një nga shembujt e paradokseve që ndodh në Medvegjë, por njëkohësisht është një pengesë reale për investitorët e huaj. Këto mure e pengesa të mirëstudiuara në kohë nga pala serbe dhe të neglizhuara nga pala shqiptare kanë shkurajuar në shumë raste investitorët e huaj, të cilët kanë tërhequr investimet e tyre nga komunat shqiptare në Serbi.

Në anën tjetër, qeveria e Serbisë ofron shume lloje subvencionesh për investitorë te huaj dhe vendore, mirëpo të gjithë preferojnë te investojnë ne rajonet me infrastrukture prezente dhe të qëndrueshme dhe jo në komunat apo rajonet ku infrastruktura është shumë e dobët apo në rajonet ku ajo mungon. Kjo ka rritur pabarazinë në Serbi, pasi rajonet e zhvilluara të Serbisë po bëhen edhe me te zhvilluara, ndërkohë rajonet e varfra po varfërohen edhe me tepër. Të gjitha këto na ndihmojnë të kuptojmë dhe të mbërrijmë në përfundimin se politikat zhvillimore zbatohen sipas interesave të përcaktuara në nivelet qendrore të Beogradit.

Cilat do të ishin disa propozime konkrete nga ana juaj për vendimmarrjen politike shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës për tërheqjen e investimeve përfshi edhe investime të ndërkombëtarëve si psh të BE-së në Luginën e Preshevës?

Për të korrigjuar situatën e përshkruar më lart dhe për të përmirësuar gjendjen reale të shqiptarëve, unë do të rekomandoja që të fillohej me stabilizimin e gjendjes në te gjitha sferat, në shëndetësi, arsim, ekonomi, etj., gjë e cila do të sillte ndërprerjen e hemorragjisë së shpërnguljes së shqiptarëve nga Medvegja dhe Lugina e Preshevës. Për të ulur dhe shmangur zbrazjen e komunave shqiptare është jetike për të tashmen dhe të ardhmen e ne shqiptarëve që jetojmë në trojet tona në Serbi, që të dy shtetet shqiptare të përfshijnë në buxhetet e tyre përkatëse realizimin e investimeve dhe projekteve konkrete në tre komunat tona dhe në kuadër të reciprocitetit të zhvillojnë politika ndihmuese dhe zhvillimore, njësoj siç zhvillon Qeveria e Serbisë në komunat në Kosovë, ku popullsia serbe është në mazhorancë.

Konkretisht, siç edhe jeni në dijeni, është një projekt i autostradës Durrës-Prishtinë-Nish, që praktikisht dhe ekonomikisht do te duhej te kalonte nga Medvegja, por nga sa u shpjegua me sipër, vështirë se do të mund realizohet. Edhe pse kalimi i kësaj autostrade nga Medvegja do të shkurtonte projektin me 40 km dhe natyrisht ne aspektin ekonomik do të kursente rreth 400 milionë Euro, pa përmendur edhe përfitimin në afatin kohor të realizimit, sërish në Beograd vijojnë ta shohin si projekt politik dhe nuk i japin dritën jeshile këtij varianti sa ekonomik, po aq edhe të dobishëm për zhvillimin e trojeve tona.

Kompania që unë drejtoj “Mela Holding Group spa” me seli ne Venezia, ka sponsorizuar një projekt gjysëm të detajuar dhe ua ka paraqitur atë organeve më të larta shtetërore në Shqipëri e Kosovë, si dhe e ka prezantuar te Komisioneri Evropian për Zgjerim ne Bruksel. Përmes formulës së koncesionit, kompania “Mela Holding Group spa” në bashkëpunim me disa operatore ekonomikë ndërkombëtare ka ofruar mundësinë e financimit të segmentit të projektit të autostradës Durrës-Prishtinë-Nish me kalim në Medvegjë. Por as ky propozim nuk ka mjaftuar për të marrë përkrahje për ndërtimin e infrastrukturës në Medvegjë. Është vërtet e dhimbshme kur projekte kaq vitale nuk mbështeten nga dy shtetet tona shqiptare dhe kur qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk bashkëpunojnë për ta realizuar atë. Këto qëndrime nuk janë lajme të mira dhe as mbështetëse për ne shqiptaret ne Serbi. Nga ana tjetër shohim se Serbia investon miliona Euro në vit për të mbajtur gjallë praninë e serbëve në Kosovë.

Për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tre komunat shqiptare në Serbi, është e nevojshme që të mbështeten biznesmenët e suksesshëm shqiptarë që ushtrojnë aktivitetet e tyre në vende të ndryshme të botës. Historikisht ne kemi pasur një emigracion te theksuar dhe tashmë është kohë që këtë gjë ta kthejmë në dobinë tonë. Ndaj, është me e lehte te ftosh një bashkatdhetar për te investuar në trojet e tij sesa të nxitësh një të huaj të vijë dhe të investojë në trojet tona. Ne si diasporë jemi pak prezent me investime në vendlindjet tona, sepse jemi te vetëdijshëm për mungesat, vështirësitë, pabarazitë dhe kushtet e pafavorshme që na ofrohen për të investuar ne vendlindjet tona dhe krahasuar me përvojat tona ne vendet e zhvilluara, do te dilnim jo seriozë në investime. Ndaj lind e nevojshme që qeveritë shqiptare të mbështesin diasporën për investime dhe të ushtrojnë detyrimet e tyre kushtetuese për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe për të kërkuar mundësi të barabarta investimi në komunat shqiptare në Serbi. Unë jam i bindur se largimi i pengesave të investimeve në Medvegjë dhe në dy komunat e tjera shqiptare në Serbi, do të rrisë prezencën e investitorëve shqiptare dhe të huaj, do të hapeshin vende të reja pune dhe jeta e mirëqenia e shqiptarëve do të përmirësohej.

Trevat shqiptare ne Serbi dhe ne Medvegjë ne veçanti kanë ngelur rajonet e vetme të ish-Jugosllavisë të cilat nuk janë ndihmuar me kthimin e te shpërngulurve nga luftërat e fundit. Sikur te mos mjaftonte kjo, edhe kur ka pasur nisma, qoftë edhe të vogla nga shoqata humanitare apo te ngjashme, ato vazhdimisht janë penguar nga politika serbe. Ashtu, sikurse edhe sot pengohen familjet, te cilat individualisht marrin vendimin për kthim në vendlindjet e tyre.

Meqë jemi pikërisht në kohen e debateve të nxehta për mundësinë e ndryshimit të kufijve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ishim të interesuar të mësonim mendimin tuaj pare nga këndvështrimi i një qytetari dhe biznesmeni nga Medvegja? Cili do të ishte projekti që do të ndihmonte më shume zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës?

Hipotezat e shumta, qe po i dëgjojmë kohet e fundit për shkëmbim, ndryshim, korrigjim, etj, etj, ne thelb unë i interpretoj si një pranim i pavarësisë se Republikës së Kosovës nga ana e Republikës se Serbisë. Si mund te kërkohet pëlqimi i dikujt për korrigjim, ndryshim apo shkëmbim pa lëre të nënkuptohet, se unë njoh e pronësinë tuaj dhe ju po me njihni pronësinë mbi atë çfarë po shkëmbejmë!!! Në te kundërtën çfarë kemi për të biseduar? Deri këtu nuk ka asgjë te keqe, por përveç kësaj, përse ne shqiptarët të shndërrohemi në zëdhënësin e palës me të cilën do të na duhet te negociojmë?! Pra edhe këtu po e dobësojmë pozitën tonë si pasoje e inferioritetit ndaj palës serbe.

Personalisht e shoh shume te rrezikshme idenë e korrigjimit të kufijve, që po synon te jetësohet pa ditur epilogun final të kësaj marrëveshjeje “historike”. Kosova lehtë mund të humbë Veriun e saj apo pjesët me vitale të Veriut të Kosovës, nëse Kosova do të arrijë të marrë disa nga fshatrat buzë kufirit lindore mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë rast thelbësisht mund të humbim shumë në të dy anët .

Unë jam pro negociatave, sepse ato kryesisht do t’i ndihmonin etnitë pakicë në të dy shtetet, por vetëm pasi Kosova dhe Serbia te njohin sovranitetin e njëra-tjetrës paraprakisht.

Ju jeni biznesmen i diasporës shqiptare. Çfarë mendoni se mund të bëhet më shume nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës për tërheqjen e investimeve të diasporës në trojet shqiptare?

Me keqardhje konstatohet se gjithçka te ne është e politizuar dhe nuk mundemi t’i ikim kësaj teme. Lejomëni të parashtroj një këshillë për dy qeveritë shqiptare. Nëse nuk ato munden të bëjnë asgjë për ne shqiptaret ne Serbi, se paku mos te pranojnë diskriminimin tone. Një e drejte e jona e cila na hiqet me dhune, derisa ne nuk jemi dakord, nuk do te thotë se ne e kemi humbur, por kur dy qeveritë shqiptare pajtohen me veprimet apo mos veprimet e tyre, atëherë është pune e kryer dhe mundësitë tona si shqiptarë në Serbi që t’i rifitojmë këto të drejta praktikisht kthehen në zero.

Vitet e fundit po dëgjoj “personalitete” te shumta ne Kosovë, të cilët shprehen se ne Medvegjë nuk ka më popullsi shqiptare, duke lënë të kuptohet, se nuk ia vlen te përpiqemi më për ta. Ndërkohë të jeni të sigurt se nëse vazhdohet me këtë mendësi antishqiptare dhe antikombëtar dhe nëse braktiset Medvegja, radhën e boshatisjes së trojeve autoktone shqiptare do ta ketë Bujanoci e më pas Presheva. Ndaj gjej rastin të ngre një pyetje: Ku ishin dy qeveritë shqiptare kur më 13 shtator 2015, mijëra shqiptare nga Medvegja ngelën të stacionuar ne kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Mutivodë dhe nuk u lejuan te kalojnë kufirin, nuk ju hequr në mënyrë arbitrare mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre elementare për te votuar? Kjo mungesë e shqiptarëve në votime, e realizuar në mënyrë të qëllimshme nga politika serbe, solli humbjen e një numri të konsiderueshëm të këshilltarëve komunalë në zgjedhjet vendore dhe tashmë ne shqiptaret në Medvegjë, përfunduam me vetëm 8 këshilltarë komunalë, duke u shndërruar në një pakicë të parëndësishme në komunën e Medvegjës. (Albanian Business News)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme