Biznesmenë nga Zvicra interesohen për djathrat e Kosovës

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 16:34 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kanë pritur një delegacion nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, si dhe nga Organizata Zvicerane e Prodhuesve Artizanalë të Djathit. Qëllimi i takimit ishte shikimi i mundësive të bashkëpunimit me prodhuesit e djathit nga Kosova dhe mundësia e plasimit të produkteve kosovare në tregun e Zvicrës.

Kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, rikujtoi se Zvicra është ndër prodhuesit më të mëdhenj të qumështit dhe prodhimeve të qumështit. Ai tha se Kosova ka tri qëllime nga ky takim i përbashkët i odave ekonomike, raporton Ekonomia Online.

“Të ketë marrëdhënie bilaterale në aspektin ekonomik së bashku me odën ekonomike të Zvicrës e dyta është partneriteti e cila ka rëndësi të veçantë për rajonin por edhe qëllimi i tret është sigurisht tregu evropian. Rruga se si duhet t’i qasemi atij tregu dhe çfarë kushtesh të tjera duhet të kemi për tregun e bashkimit evropian”, ka thënë Gërxhaliu.

Konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu, i cili i shoqëronte afaristët zviceranë, tregoi për angazhimin dhe qëllimin e ardhjes së zviceranëve në Kosovë.

“Qëllimi pse këta janë këtu është që edhe prodhuesit zviceran të njohin prodhimtarin e qumështit në Kosovë. Të njëjtën mënyrë që edhe prodhuesit kosovarë të shtrojnë njohjen e tyre duke mësuar nga praktikat e prodhuesve nga Zvicra. Ky sektor po vjen duke u konsoliduar”, ka thënë konsulli Avdiu.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany, tha se rritja e zhvillimit ekonomik të Kosovës është qëllimi kryesor i tyre.

“Dhoma Tregtare e Zvicrën qëllim kryesorin e ka zhvillimin ekonomik të Kosovës. Më këtë qëllim edhe prodhuesit e Kosovës të jenë ata që arrin arsimin dhe aftësimin profesional dhe ky është prioritet dhe është domen i madh i bashkëpunimit”, ka thënë Sarkany.

Kurse Jacques Gygax, udhëheqës i Organizatës Zvicerane të Prodhuesve Artizanalë të Djathit “From Arte”, tregoi që Zvicra ka rreth 500 prodhues të djathit në tërë territorin e saj dhe se qarkullimi në vit nga këto ndërmarrje arrin shifrën një miliard franga.

“Zanati i djathit në Zvicër është njëjtë si ai i orës zvicerane. Ne kemi 500 ndërmarrje të prodhimit të djathit të cilat janë të shpërndara në tërë territorin. Këto 500 ndërmarrje kanë rreth 10 mijë prodhime të qumështit. Çmimi i qumështit për litër është 70 centë. Nga këto ndërmarrje qarkullojnë rreth 1 miliard euro në vit”, ka thënë Gygax.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe prodhues të shumtë nga Kosova të cilët morën vesh për qëllimet e punës së odës zvicerane për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Të ngjashme