Ish-prokurori Elez Blakaj i ka thënë të drejtë presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit.
Në llogarinë e tij në Facebook, Blakaj ka shkruar se presidentja e Shtetit si garantuese në funksionimin e institucioneve të shtetit, ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të Institucionit të Prokurorit të Shtetit, raporton Klan Kosova.
“Shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit”, ka shkruar Blakaj.
Sipas tij, të gjithë ata të cilët provojnë të bëjnë interpretime lidhur me vendimin/njoftimin e Presidentes së Shtetit, shkëputur nga problemet e evidentuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit janë të njëanshëm ose të verbër profesionalisht.
“Presidentja e Shtetit si garantuese në funksionimin e institucioneve të shtetit, ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të Institucionit të Prokurorit të Shtetit, dhe çdo vendim/njoftim i cili do të legalizonte një proces me shkelje të tilla (të njohura tani), do të përbënte shkelje”, ka potencuar ai.
“E pakuptueshme se si Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme dhe për pozitën e njëjtë, përdor standarde të dyfishta! Populli do të thoshte për dikë ‘nënë’ e për dikë ‘njerkë’!”, ka thënë ai në fund.