Ish-prokurori special, Elez Blakaj ka reaguar lidhur me listën e veteranëve që është publikuar e që thuhet t’i jetë dërguar Gjykatës.
Blakaj ka thënë se ndjen nevojën për të sqaruar se aktakuza ka pësuar ndryshime nga ajo që kishte përpiluar vetë ai.
Sipas Blakajt janë rreth dy mijë persona më shumë, për të cilët thotë se nuk ka informacion se si janë as selektuar.
Ish-prokurori Blakaj ka thënë poashtu se nuk mban më përgjegjësi për aktakuzën e ndryshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër dhe as për publikimin e emrave.
Reagimi i plotë:
Përgjigje për publikun për aktakuzën e veteranëve
Lajmi për dorëzimin e aktakuzës së veteranëve në Gjykatë kam konsideruar se është lajm i mirë, i cili do të zbardhë të vërtetën për procesin e kundërligjshëm për njohjen e statusit të veteranëve sipas kritereve ligjore. Duke shkelur këtë ligj, dëmet e shkaktuara buxhetit të shtetit dhe veteranëve të vërtetë janë të përmasave të mëdha. Ato do të zbardhen vetëm në një proces të drejtë, të paanshëm dhe profesional gjyqësor, për të cilin shpresoj se do të zhvillohet në sy të publikut në Kosovë.
Aktakuza e ngritur dhe nënshkruar nga ana ime ishte e bazuar në fakte dhe ligj, lidhur me shkeljen e kritereve dhe procedurave lidhur me njohjen e statusit të veteranit të luftës.
Por, si duket, ashtu siç është përcjellë puna në lidhje me këtë aktakuzë me presione e kërcënime, po vazhdon tani në këtë fazë me përpjekje të tjera me të vetmin qëllim që të diskreditohet puna e madhe që është bërë, e bazuar në ligj, fakte dhe drejtësi për zbardhjen e të vërtetës në rastin e listave të fryera të veteranëve.
Jam duke marr komente dhe pyetje të shumta në lidhje me aktakuzën e ngritur në gjykatë dhe emrat e publikuar të personave që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët.
Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët.
Këtë sqarim po e bëj për të informuar publikun se së pari aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë.
Ndërsa, ajo që është më me rëndësi për të informuar publikun është se unë Elez Blakaj, tani ish-Prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk mbaj përgjegjësi për aktakuzën e ndyshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër, e as per publikimin e emrave, sepse ekziston nje parim i cili duhet respektuar-prezumimi i pafajsise.
Për këtë aktakuzë pyetjet duhet të gjithë ti drejtojnë në Prokurorinë Speciale te prokurori që e ka nënshkruar aktakuzën.
Mënyra se si janë duke vepruar me aktakuzën përmes luftës speciale, duke publikuar pjesë të caktuara dhe duke i interpretuar ato, është rruga më e gabuar që kanë zgjedhur dashakqinjtë e veteranëve të vërtetë dhe të Kosovës.
Për fund, dua të shpreh respektim dhe përuljen time dhe të familjes time për të gjithë veteranët e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerës më sublime të historisë së shqiptarëve. Respekt për të gjithë dëshmorët dhe veteranët e vërtetë.
Sinqerisht, Elez Blakaj