Arrestohet deputeti Demalijaj për deklaratat e tij ndaj ish-prokurorit Blakaj

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 16:09 | Nga

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, është arrestuar pasditen e së enjtes.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

Ai është arrestuar pasi është intervistuar nga Policia e Kosovës lidhur me kërcënimet që i kishte bërë ndaj ish-prokurorit, Elez Blakaj.

Berisha ka shtuar se intervistimi i deputetit Demaliaj është bërë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ky intervistim është bërë lidhur me deklarata që deputeti Demalijaj, i cili njëherësh është edhe njëri ndër të akuzuarit në aktakuzën e “veteranëve”, i ka bërë ndaj ish-prokurorit, Elez Blakaj.

Demaliaj kishte thënë se Prokurorin Blakaj do ta ndjek privatisht, nëse shteti nuk merret me të.

“Nëse shteti nuk bën kërkesë që ai (Blakaj) të kthehet në atdhe për t’u gjykuar për shantazhin që i ka bërë opinionit, prokurorisë, nga unë do të ndiqet dikur privatisht, nëse shteti nuk merr masa për ta ndjekur. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç”, kishte thënë Demaliaj në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme