Kosovës i nevojitet një politikë demografike për nevojat e tashme dhe për të ardhmen, sepse popullsia është kapitali më i shtrenjtë i një vendi, thotë demografi dhe profesori i ekonomisë Rifat Blaku, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në një intervistë për “E diela me Kohën Ditore”, ka shpalosur një sërë arsyesh për rënie të natalitetit në vend. Edhe pse thotë se rënia e natalitetit nuk është diçka e veçantë, pasi Kosova ka kaluar në fazën e shtimit të qetësuar dhe pjekurisë demografike, mungesa e kushteve ekonomike, sipas tij, ka ndikuar që çiftet e reja të shtyjnë martesën.
Problem tjetër në rënie të lindshmërisë, sipas Blakut, është edhe migrimi i lartë. Ai përmend ikjet masive nga Kosova gjatë viteve 2015-2016 dhe ndikimin e tyre në numrin e popullsisë totale.
Kosova, sipas tij, duhet të ketë edhe politikën e popullatave, edhe të emigracionit, si dhe pushimi i lehonisë të jepet sikurse në shtetet më demokratike në botë. Përmend edhe mungesën e shtesave për fëmijë, gjë e cila, sipas tij, luan një rol negativ në shtimin e popullatës.