Blerand Stavileci ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Klubit Basketbollistik Prishtina, për shkak të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i hyrë në fuqi kohë më parë. Stavileci, nën drejtimin e të cilit KB Prishtina ka fituar 56 trofe në gjashtë vjetët e fundit, në një letër emocionale, ka shprehur bindjen se Prishtina do ta vazhdojë edhe më fuqishëm rrugën e suksesit, ndërsa ka pohuar se ai do të jetë gjithmonë përkrahësi më i madh i saj.
“Ne kemi obligim ta respektojmë Ligjin si qytetarë të ndershëm e të përgjegjshëm të vendit tonë. I njëjti Ligj që dikur ma mundësonte mbajtjen e pozitës së Kryetarit të klubit, sot ma pamundëson si rezultat i ndryshimeve që kanë pësuar dispozitat ligjore. Prandaj, sot, ofrova dorëheqjen nga ky post, me keqardhje të madhe e krenari të jashtëzakonshme njëkohësisht”, ka shkruar Stavileci në faqen e tij në Facebook.
Blerand Stavileci ka drejtuar Klubin Basketbollistik Prishtina nga viti 2011 deri më tash dhe në këtë periudhë ky ekipi kosovar ka njohur suksese të mëdha. Suksesi më i madh është arritja e Prishtinës në mesin e 16 ekipeve më të mira në Evropës në Europe Cup, pjesëmarrja në garat e Champions League, si dhe dy titujt e parë ndërkombëtarë të një ekipi shqiptar në Ballkan League.
Në vazhdim, teksti i dorëheqjes së Blerand Stavilecit, drejtuar anëtarëve të Bordit Drejtues dhe të Kuvendit të Klubit të Basketbollit Prishtina:
Të nderuar anëtarë të Bordit Drejtues, Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Klubit të Basketbollit Prishtina, Të dashur kolegë, Me keqardhje ju njoftoj se duhet të dorëhiqem nga pozita e Kryetarit të KB Prishtina, për shkak të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i hyrë në fuqi kohë më parë, më saktësisht siç e precizon Neni 14 Paragrafi i Parë, i cili shfuqizoi Ligjin e vjetër, më saktësisht Nenin 11 Paragrafi i Parë, i cili asokohe ma mundësonte që të mbaja edhe pozitën e zyrtarit të lartë publik edhe atë të Kryetarit të Klubit si Organizatë Joqeveritare.
Nuk qenka aspak e lehtë të Ju drejtohem në këtë mënyrë, sepse deri më tani pothuajse gjithmonë Ju jam drejtuar për t’Ju komunikuar lajme të mira dhe vendime të mëdha strategjike lidhur me të ardhmen e klubit tonë, për të cilin kemi investuar shumë. Klubi Im dhe i Juaji i Zemrës në gjithë këto vite është bërë një brend i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht, duke na bërë krenarë si në Kosovë ashtu dhe në Europë. Jemi bërë sinonim i fitoreve dhe sukseseve.
Vetëm në këto 6 vjetët e fundit ne kemi arritur të fitojmë plot 56 trofe.
Vlera e tyre ishte po aq e madhe sa edhe ndjenja e të bërit krenarë me mijëra e mijëra shqiptarë anekënd botës. Sidoqoftë, gjatë kryerjes së funksioneve publike, përveç përgjegjësive dhe detyrave primare që kemi lidhur me fushëveprimtarinë e klubit, mbi të gjitha, duhet t’i respektojmë ligjet e shtetit tonë, mbase edhe për të dhënë shembull se si duhet të funksionojmë. Së pari Ligji, respektimi i tij, dhe pastaj vinë të tjerat. Dua të besoj fuqishëm që Klubi jonë do ta vazhdojë rrugëtimin e suksesit. Unë, si gjithmonë, do të jem përkrahësi më i madh i tij.
Siç e thonë tifozët tanë më të mirë, Plisat: Një Jetë, Një Prishtinë!
Ju falënderuar të gjithëve për mbështetjen dhe bashkëpunimin,
Do të mbetem përjetësisht i Juaji, Përjetësisht Bardhekaltër!