Këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi ka vazhduar debatin tash me LDK’në duke thënë se kushdo që operon në interpretime politike me koncepte gjenetike e biologjike është fashist.
Ragimi i Latifit ka ardhur pasi Grupi Parlamentar i LDK’së kërkoi shkarkimin e tij pse e quajti Vjosa Osmanin fashiste. Kjo e fundit kishte thënë se PDK dhe Kadri Veseli e ka në gjene tradhtinë. Veseli, të premten, për T7, kishte thënë se Vjosa Osmani e kishte tradhtuar Isa Mustafën duke mos e votuar demarkacionin e jo PDK’ja.
Por, Blerim Latifi ka thënë se t’i thuash dikujt se e ke në gjene të keqen është thirrje për dhunë.
“Secili interpretim gjenetiko-biologjik i politikës, në thelbin e tij, është interpretim fashist”, ka thënë Latifi, të shtunën.
“Secili që operon në politikë me interpretime të tilla është fashist. T’i thuash dikujt se të keqen e ke në gjene, kjo është forma më ekstreme e intolerancës dhe e urrejtjes, e rrjedhimisht është thirrje për dhunë”, ka shtuar ai.
Isa Mustafa, Kryetar i LDK’së, s’e ka thënë asnjë fjalë në këtë përplasje të zyrtarëve të dy partive. S’ka asnjë reagim as në emër të Partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova për gjuhën e përdorur ndaj Osmanit.
Sidoqoftë, Blerim Latifi thotë se është dëshpëruese kush sot po flet në emër të Ibrahim Rugovës i cili shquhej për tolerancë poltiike.
“Është dëshpëruese që njerëz me qëndrime të tilla, sot, flasin ne emër të LDK’së dhe rugovizimit, i cili nëse për asgjë tjetër, shquhet për diskurs tolerant politik”, ka shtuar Larifi.