Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka apeluar te Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend që t’i njoftojë më shumë qytetarët se si duhet të menaxhohet situata sa i përket koronavirusit.
Ai ka thënë se masat mbrojtëse duhet të jenë më të rrepta gjithkund, jo vetëm në Institut e në Klinikën Infektive.
“Sa kam lexuar, virusi është një nga 400 llojet të cilat ekzistojnë. Klinika Infektive ka staf, i cili është i përgatitur. Nuk kanë ngelur asgjë prapa. Ajo çfarë unë apeloj është që sa më shpejt Instituti edhe pse ka dalë me programin e vet, ta njoftojë pak më shumë popullatën se si duhet të menaxhohet situata. Besoj se masat mbrojtëse duhet jenë pak më të rrepta, jo vetëm në Infektivë e në Institut, por në të gjitha pikat”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se këto spitale kanë staf mangët, porse do të angazhohen edhe ata mjekë që janë.
“Se sa kemi mjekë nëpër spitalet rajonale po dihet tani se ne kemi staf mangët, meqë infektologë nuk kemi. Por ata që janë duhet të inkuadrohen nëse vjen deri te kjo situatë. Ne duhet të dimë se në situata të tilla të gjithë mjekët angazhohen. Shpresoj të mos vijë deri te një pandemi e tillë”, ka theksuar ai.