Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se nuk ka dyshim se Serbia do të jetë nën presion të shtuar mbi blerjen e sistemit të Mbrojtjes Ajrore të Rusisë (PZO) Pancir S1, por nuk beson se do t’i nënshtrohet sanksioneve amerikane, sepse blerja nuk ishte sekret.
Vuçiq, në lidhje me sistemin raketor mbrojtës Pancir S1 të dorëzuara dje në Beograd nga Rusia, tha në një intervistë për TV Prva se Serbia është e vetmja në rajon që ka atë sistem mbrojtës ajror, transmeton Telegrafi.
Duke theksuar se këto ishin “armë të shtrenjta, por jashtëzakonisht të vlefshme”, Vuçiq tha se nuk kishte dyshim se blerja e Panzer S1 do të ishte në të njëjtën kohë një arsye për të rritur presionin ndaj Serbisë.
Duke komentuar një deklaratë të gjeneralit amerikan Ben Hodges, i cili pyeti se nga kush duhet të mbrohet Serbia, Vuçiq tha që Serbia është një vend i pavarur dhe do të vendosë vetë se çfarë armë të blejë.
“Mirëpo pyetja ime ndaj gjeneral Hodges është se pse ju, i dashur gjeneral, ua shisni helikopterët Kiowa me raketa zjarri kroatëve? Pse miqtë tanë gjermanë i shesin Zagrebit Pancer Howitzers”? Sigurisht, nuk ka përgjigje për këto pyetje”, tha Vuçiq, duke theksuar se është e rëndësishme që Serbia të jetë e fortë.
“Nuk janë të paktë ata që dëshirojnë ta shohin Serbinë të fortë dhe më të fortë, por ka shumë që duan të na shohin të poshtëruar dhe të dobët. Hodges nuk është një armik i Serbisë, por Serbia, si një vend sovran dhe i pavarur, merr vendime për armatosjen që është në interesin më të mirë të vendit tonë”, tha Vuçiq.