Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të martën se gazsjellësi “Nord Stream 2”, që po ndërtohet nga Rusia në Gjermani, bie ndesh me vetë interesat e Bashkimit Evropian dhe mund ta minojë Ukrainën.
Gjermania po përpiqet që ta përfundojë ndërtimin e këtij gazsjellësi, pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara për më shumë se një dekadë. Duke folur në vizitën e tij të parë në selinë qendrore të NATO-s, kryediplomati amerikan tha se do të takohet me homologun gjerman, Heiko Maas, për të diskutuar për këtë çështje.
“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë, ai beson se gazsjellësi është ide e keqe, e keqe për Evropën, e keqe për Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit është në kundërshtim me vetë qëllimet e BE-së për siguri”, tha Blinken gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ai (gazsjellësi) ka potencial për t’i minuar interesat e Ukrainës, Polonisë dhe disa partnerëve dhe aleatëve të ngushtë”, shtoi Blinken, duke thënë se me ligjin amerikan kërkohet që Uashingtoni t’u vendosë sanksione kompanive që marrin pjesë në projektin “Nord Stream 2”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Gazsjellësi që është bërë “mollë sherri” mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë tashmë është përfunduar rreth 95 për qind dhe mund të përfundojë plotësisht në shtator, sipas analistëve.
Shtetet e Bashkuara kanë frikë se Rusia do të mund ta përdorte këtë gazsjellës si mjet për t’i dobësuar shtetet e BE-së duke ua rritur varësinë ndaj Moskës.