Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Tel Aviv në udhëtimin e tij të njëmbëdhjetë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza nga Izraeli tetorin e kaluar, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor. Blinken, duke filluar turneun e tij rajonal saktësisht dy javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Zyrtarët amerikanë shpresojnë për përparim.
Blinken pritet të theksojë nevojën që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Gaza dhe të diskutojë sigurimin e lirimit të pengjeve të mbetura izraelitë në Gaza.
Blinken dhe Lloyd Austin, sekretari i mbrojtjes, paralajmëruan në një letër të përbashkët javën e kaluar se Izraeli mund të përballet me pasoja – duke përfshirë bllokimin e mundshëm të transferimeve të armëve në të ardhmen – nëse nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për të lejuar ndihmën në Rripin e Gazës brenda muajit të ardhshëm.
SHBA, aleati më i fuqishëm i Izraelit dhe furnizuesi i armëve, i ka dërguar Izraelit më shumë se 10,000 bomba shumë shkatërruese 2,000 paundëshe dhe mijëra raketa Hellfire që nga fillimi i luftës së saj në Gaza, në të cilën mbi 42,000 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite, shkruan The Guardian.