Deputeti i partisë LIBRA në Shqipëri, Ben Blushi, u është bashkuar reagimeve të politikës shqiptare kundër arrestimit të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.
Ai ka thënë se lirinë e sjellin çlirimtarët si Ramushi, por Demokracinë e mbajnë demokratët që sipas tij, sot në Kosovë janë pakicë.
Sipas Blushit, ish-Komandanti i UÇK-së po paguan çmimin e Kosovës demokratike, që për fat të keq shumë shtete nuk e shohin si të tillë.
Postimi i plotë i Blushit në “Facebook”:
Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë. Ndalimi i tij i papritur nuk është një pagesë ndaj të shkuarës, por është një çmim mbi të ardhmen. Jam i bindur që Ramushi do të lirohet por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë. Natyrisht kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë, në sentimentet e kosovarëve ndaj Europës të cilat po dobësohen përditë duke i lenë hapësirë ekstremeve ideologjike dhe atyre fetare.
Pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja është çfarë drejtimi do ketë demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilësie. Në vende të vogla ndryshimi i Kohës Politike ka efekte të Mëdha. Kosova nuk bën përjashtim. Demokracia dhe Liria nuk janë një dhuratë e përjetshme. Ato duhet t’i fitosh përditë. Lirinë e sjellin çlirimtarët si Ramushi, por Demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë.
Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot. Ka shumë vende të Botës që e kanë pranuar Kosovën si një vend i pavarur, por nuk janë gati ta njohin si një shoqëri demokratike. Ky është çmimi që po paguan Ramushi. Kosova duhet t’i jetë mirënjohëse!