Fshati turistik, Bogë në Rugovë, që nga dita e shtunë është pa energji elektrike dhe kjo nuk është hera e parë që u ndodh mu në ditët e fundjavës, kur ai fshat është përplot me vizitorë.
Pronarët e bizneseve hoteliere kanë ngritur shqetësimet e tyre pasi siç thonë ata pa rrymë në këtë fshat nuk mund të mbahet gjallë e as të zhvillohet turizmi malor, hotelier dhe ai familjar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për mungesë të rrymës ata fajësojnë jo vetëm KEDS-in, por edhe institucionet shtetërore për papërgjegjshmërinë dhe pakujdesin e tyre ndaj problemeve të vazhdueshme me mungesë të rrymës, me të cilin po përballen banorët dhe bizneset jo vetëm në Bogë, por edhe në fshatrat e tjera të Rugovës.
Mungesa e energjisë elektrike gjatë fundjavës ka larguar edhe mysafirë të shumtë që kishin ardhur edhe nga Shqipëria.
Në KEDS mohojnë se këto ndërprerje janë të qëllimshme, ashtu siç pohojnë disa pronarë të bizneseve. “Menjëherë pas raportimit të rastit ekipet tona kanë dalë në terren dhe janë duke u munduar me sanu prishjen, por është terreni shumë i vështirë malorë dhe është e pamundur me sanu menjëherë. Prandaj kërkojmë edhe mirëkuptimin e konsumatorëve”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.