Muajt prill dhe maj do të jenë mjaft sfidues për boksierët profesionistë shqiptarë.
Disa prej tyre do të kenë sfidat më të mëdha të karrierës, ku do të përballen me ish-kampionë të botës apo me talentë të mëdhenj, e disa do të luftojnë për tituj me peshë, si të Evropës apo edhe të përkohshëm të botës.
Seria e sfidave të mëdha do të nisë këtë fundjavë. Më 6 prill në Çeki, boksierja e vetme aktive profesioniste shqiptare Fabiana Bytyqi, do të mbrojë titullin e saj të botës në peshën “atom” (deri 46.3 kilogramë), shkruan sot Koha Ditore.
Përballë do të ketë meksikanen Maria Soledad Vargas. Për Bytyqin 23-vjeçare do të jetë sfida më e vështirë në karrierë. Fabiana, që është pjesë e filialit çek të kompanisë së njohur SES Boxing, ka 14 fitore (5 KO) nga po aq meçe. Kundërshtarja e saj nga Meksika ka 12 fitore e tri humbje.
Po më 6 prill në Gjermani boksieri shqiptar i peshës së mesme, Faton Vukshinaj do të ketë testin më të madh të karrierës së deritashme në boksin profesionist. Ai në Wolfsburg do të ndeshet me boksierin nga Bregu i Fildishtë me shtetësi daneze, Landry Kore.