Sot para 22 vitesh, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.
78 ditë pas fillimit të bombardimeve, Serbia u dorëzua.
Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Grajçevci në këtë përvjetor ia ka ndarë medaljen “Urdhëri i Lirisë”, pilotit të Forcave Ajrore Holandeze, Peter Tankink.
Tankink kishte marrë pjesë si pilot në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në vitin 1999.
“Sot, ndërsa kujtojmë vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që e vunë veten në rrezik për të na ndihmuar në orën tonë më të vështirë. Njëri ndër ta është piloti trim i Forcave Ajrore Holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, luftoi në qiellin e Kosovës me avionin e tij F-16, duke rrëzuar një avion të armikut, MiG-29 serb”, njofton në Facebook Grajçevci.
“Me këtë gjest trimërie, Kol. Tankink ka fituar tërë respektin dhe mirënjohjen tonë. Në dhjetorin e vitit të kaluar, kisha nderin e veçantë që t’ia dorëzoja Medaljen presidenciale, “Urdhëri i Lirisë”.”, ka shkruar më tej Ambasadori Grajçevci.