Dy bombardues supersonik B-1B amerikan fluturuan mbi një gadishull të Koresë së Veriut të dielën, duke demonstruar një shfaqje force.
Fluturimi vjen ndërkohë që marrëdhënie mes Uashingtonit dhe Phenianit janë acaruar, pasi Koreja e Veriut testoi një tjetër raketë balistike ndërkontinentalë (ICBM).
Prova u krye të premten dhe thuhet se raketa është e gatshme të godasë Shtetet e Bashkuara.
Fluturimi i B-1B ishte në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj testit të raketave dhe nisjes së mëparshme të 3 korrikut të raketës “Hwansong-14”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA-ve dhe Koresë së Jugut.
Bombarduesit u larguan nga një bazë ajrore amerikane në Guam, dhe u bashkuan me avionë luftarakë japonezë dhe të Koresë së Jugut gjatë demonstrimit, sipas deklaratës.
“Koreja e Veriut mbetet kërcënimi më urgjent për stabilitetin rajonal”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Paqësorit, gjenerali Terrence J. O’Shaughnessy.
“Nëse thirret, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi me forcë të shpejtë, vdekjeprurëse dhe dërrmuese”.
SHBA ka përdorur në të kaluarën fluturimet e bombarduesit supersonik B1-B “Lancer” si një shfaqje e forcës në përgjigje të testeve të raketave të Koresë së Veriut apo testeve bërthamore.