Leonardo Bonucci ka thënë se rivalët u bënë gati për varrimin e Juventusit, por pastaj e harruan krenarinë dhe mentalitetin e bardhezinjve.
Juventusi e siguroi një vend në Ligën e Kampionëve në ditën e fundit të sezonit në Serie A, duke e mundur 4:1 Bolognën, transmeton Gazeta Express.
Por ishte barazimi i Napolit 1:1 me Hellas Veronën ai që në fakt ia siguroi skuadrës së Andrea Pirlos një vend në top katërshe. Në të njëjtën javë, Juve e fitoi Kupën e Italisë duke e mundur 2:1 Atalantën.
Bonucci iu dërgoi mesazh rivalëve një ditë më vonë, duke ua kujtuar se ata e arritën synimin tamam kur të gjithë menduan se Juve kishte vdekur.
“Të gjithë ishin gati. Ata po prisnin për çastin e duhur ta bënin atë që e shijojnë më së shumti. Por ata e harruan krenarinë e këtij grupi, mentalitetin e këtij ekipi dhe moton e këtij klubi”, shkroi Bonucci.
“Dy trofe të fituar nga kjo skuadër. Synimi i arritur kur të gjithë po prisnin për varrimin tonë. Për të brohoritur diçka që ne nuk e arritëm. Por deri në fund, ne besuam dhe ia dolëm dhe në fund festuam”, shtoi ai.