Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në mbledhjen që mbajti sot, mori vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve diskutoi për valën e fundit të shitjeve të aseteve të përmes likuidimit me nr.35 dhe me këtë rast aprovoi transaksionet e aseteve që ishin për shitje në tenderin publik, transmeton Ekonomia Online.
Bordi diskutoi dhe e miratoi propozimin për inicimin e procedurave të likuidimit për ndërmarrjen shoqërore (NSh) “Ndërmarrja për mirëmbajtje ndërtimore Zveçan”.
Ndërsa për ndërmarrjet shoqërore të Gjakovës, konkretisht NSh Metaliku (përfshirë edhe Fabrikën e Enëve), NSh Jatex dhe NSh Virxhinia, Bordi mori vendim për të vendosur administrim direkt në këto ndërmarrje.
Bordi shqyrtoi dhe aprovoi qiradhënien përmes tenderit publik për dy asete të NSh-së “Ereniku”, në Gjakovë dhe disa qiradhënie tjera.
U diskutua gjithashtu për ndërmarrjen e re të privatizuar “Emin Duraku Kompleksi Industrial”, të cilës i ka skaduar afati i marrëveshjes së zotimeve dhe me këtë rast Bordi vendosi që të realizohet një auditim i kësaj ndërmarrjeje.
Në këtë mbledhje poashtu u miratuan plotësim ndryshime të Procedurave të shitjes dhe të Rregullave të Përgjithshme të Tenderit.