Bordi i RTK-së përmend si sfidë mungesën e buxhetit dhe borxhet e vjetra

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 12:42 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Trashëgimia e borxheve nga vitet e kaluara dhe mungesa financiare, ishin ndër adresimet kryesore që udhëheqësit e mediumit publik i shfaqën para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, me buxhetin aktual nuk po arrijnë që ta ndikojnë në cilësinë e skemës programore, ndërsa borxhi paraprak sipas tyre kalon mbi 180 mijë euro.

Drejtori i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se gjatë vitit të kaluar janë përballur me përmbarim, gjë që sipas tij ka ndikuar edhe në gjendjen financiare të mediumit publik.

“RTK është ballafaquar edhe këtë vit me borxhet e vjetra. Gjatë vitit 2023 janë tërhequr nga përmbaruesit përmes vendimeve të gjykatave 65 mijë e 625 euro, e cila sigurisht e ka ndikimin e vet. Kurse në vitin 2024 gjendja është edhe më keq, deri më tani i kemi 189 mijë e 715 euro. Në vitin 2023 të hyrat e përgjithshme të RTK-së kanë qenë 10 milionë e 670 mijë euro, ndërkaq shpenzimet e përgjithshme 10 milionë e 547 mijë euro. Për pagesën e stafit janë shpenzuar 8 milionë e 151 mijë euro, që do të thotë në krahasim me vitin paraprak janë 150 mijë euro më pak. Ndërkaq për shpenzimet operative e programore janë 1 milion e 455 mijë euro”, ka deklaruar Boletini.

Ndërkaq Gazmend Rexhepi, zyrtar financiar i RTK-së ka thënë se pasuritë e përgjithshëm të institucionit  janë mbi 4 milionë euro.

“RTK ka një pasqyrë pozitive prej 123 mijë euro”, tha Rexhepi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti duke kritikuar raportin  ka thënë se RTK-ja duhet të jetë cilësore në program e jo reduktimi i stafit 

“Kam prit qe keni me ardh këtë moment qysh prej para tri vite që kemi filluar diskutimin. Unë nuk kam pritur që keni me vendos rregull ne raporte financiare. Sot me na ardh drejtori mu krenu me rregullsinë duke zvogëluar numrin e kontratave të përkohshme, ndërkohë që pozicioni i RTK-së ne tregun medial nuk është përmirësuar, përkundrazi fokus yt nuk është reduktimi po fokusi është cilësia programore e RTK këtu duhet me qenë fokusi yt. Ato shpenzime që i bëni me i be përputhje me ligjin”, tha Hoti.

E drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se mungesa e buxhetit financiar ka ndikuar në cilësinë e skemës programore.

“Buxheti ka mbetur me 8,9 milionë euro dhe e kemi pasur të pamundur ta kemi program shumë më të mirë çfarë synojmë”, ka thënë ai.

Ahmetxhekaj ka përmendur se tash transmetuesi publik ka 744 punëtorë të rregullt, ndërkaq në vitin 2021 kanë qenë në listë të pagave 1,039.

Ai ka marrë kundërpërgjigje nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti në këtë drejtim duke thënë se s’duhet krenuar me “rregullsinë e vendosur për uljen e kontratave të përkohshme”.

“Pozicioni i RTK-së në tregun medial në Kosovë nuk është përmirësuar, por përkundrazi. Fokusi juaj s’duhet të jetë reduktimi i shpenzimeve por fokusi juaj është cilësia, pasuria e diversiteti programor”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme