Bordi i ShSKUK-së i quan shpifje deklaratat e deputetit Haxhiu

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Bordi Drejtues i ShSKUK-së, ka reaguar kundër deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Haxhiu ka deklaruar se Bordi Drejtues ka përgjegjësi për keqpërdorimin e 12 milionë eurove, derisa këta të fundit e kanë quajtur shpifje.

“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ( ShSKUK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, lëshon këtë njoftim sqarues lidhur me shpifjet e bëra sot në adresë të Bordit, nga Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, z.Bekim Haxhiu, përfshirë shkrimet në portalet e ndryshme.Bordi Drejtues njofton se në kuadër të kompetencave të tij ligjore nuk e ka në menaxhim buxhetin e SHSKUK-së dhe si rrjedhojë nuk ka se si të krijojë dëmin në shumën e permendur nga zotëri Haxhiu”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.

Po ashtu, ata kanë shkruar se deklarimet e Haxhiut janë tendencioze dhe me qëllim të degradimit të anëtarëve të Bordit Drejtues.

“Aq më tepër kur fjala është për një profesionist shëndetësor që madje as gjatë Pandemisë Covid -19, nuk ka dhënë asnjë kontribut në trajtimin e qytetarëve në nevojë, përfshirë edhe kryerjen e ushtrimeve fizioterapeutike për të cilat është i thirrur. Andaj, konsiderojmë se ky keqpërdorim i imunitetit të deputetit deri në këtë masë, duke plasuar të pavërteta me metodat tashmë të njohura të dezinformimit, është tendencë për arritje të qëllimeve politike, duke ndikuar direkt në humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore”, thuhet tutje në reagimin e tyre”, kanë përfunduar ata.

Të ngjashme