Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë disa vendime me qëllim të ndaljes së përkeqësimit të gjendjes financiare.
Në njoftim bëhet e ditur se janë ndërprerë disa kontrata si dhe është marrë vendim të shpallet konkursi për rekrutimin në pozitat e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave të Thesarit.
“Në mbledhjen e mbajtur sot me 24 prill 2020, pas diskutimit në rendit e ditës lidhur me shqyrtimin e pozitave të Zyrtarëve të Lartë të Telekomit të cilat kane ndikim direkt në performancën e Telekomit dhe duke pasur parasysh gjendjen e rëndë financiare të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës SH.A., me qëllim të ndaljes së përkeqësimit të gjendjes financiare të ndërmarrjes dhe tejkalimit sa më të shpejtë të kësaj gjendje të rëndë financiare, mori vendimet si në vijim:
-Ndërprerjen e Kontratës së Kryeshefit Ekzekutiv.
-Ndërprerjen e Kontratës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.
– Ndërprerjen e Kontratave të dy Zëvendës Kryeshefave Ekzekutiv.
-Emërimin e Ushtrueses së Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.
-Emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.
-Të shpallet konkursi për rekrutimin në pozitat e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.
-Sa i përket dy pozitave të Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, mbetet që Bordi të shqyrtoj edhe njëherë nevojën dhe efektshmërine e këtyre pozitave në javët në vazhdim.
Njëherit Bordi vendosi që t‘u bëhet ftesë Shoqërisë Civile dhe Ambasadës Angleze që të marrin pjesë në procesin e rekrutimit në këto pozita për të siguruar një profesionalizëm dhe transparencë të plotë të këtij procesi.
“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve siguron opinion dhe çdo punonjës të Telekomit të Kosovës se do të marrë çdo vendim sipas kompetencave që ka per t‘u sigurar një organizim i mirëfilltë i Telekomit, ku secili punonjës të jetë në nivel të detyrës dhe përgjegjësive që i ngarkohen”, vijon njoftimi.