Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ndaj pagave enorme të Bordit të RTK-së krahasuar me Transmetuesit Publik të rajonit dhe më gjerë.
Sipas raportit të “South East Europian Media Ovbservatory” të publikuar më 16 dhjetor 2016, Bordi i drejtorëve të RTK-së është shumëfish më i paguar se bordet e transmetuesve publikë të Hungarisë Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi etj.
Bordi i RTK-së, merr mbi 20 herë më shumë pagë se bordi i Transmetuesit Publik në Slloveni.
Sipas kësaj sindikate një anëtar në Bordin e Transmetuesit Publik në Slloveni paguhet vetëm 55 euro për takim që mesatarisht mbahet një herë në muaj ndërsa një anëtar i bordit të RTK-së paguhet 1.156 euro.
Paga mujore e anëtarëve të Bordit të Transmetuesit Publik në Kroaci është 270 euro. Në vijim është tabela krahasuese.
Sipas këtij raporti, Bordi i RTK-së për vitin 2014 ka shpenzuar 152 mijë euro për paga dhe meditje, madje duke tejkaluar shpenzimet e planifikuara për 110 mijë euro dhe shkelur Ligjin për menaxhimin e financave publike.
“Bordi i RTK -së është i vetmi institucion publik në vendin tonë që për pagën e tij vendos vet dhe jo ndonjë autoritet tjeter. SPRTK i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që në kuadër te ligjit të ri për RTK të përcaktohet mënyra e financimit të organeve drejtuese të RTK-së dhe të ndërpritet keqpërdorimi i parasë publike në këtë institucion. Ky formë e financimit kishte filluar në kohën e udhëheqjes së Bordit nga Rrahman Paçarizi, praktikë kjo që po vazhdon të ndiqet edhe nga kryetari aktual, Ismet Bexheti”, përfundon reagimi i Sindikatës së Pavarur të RTK-së.