Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europain (BE), Josep Borrell, ka thënë se në BE s’ka vend për mohuesit e gjenocidit dhe glorifikuesit e kriminelëve të luftës. Gjithashtu ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun duke respektuar marrëveshjet e nënshkruara.
Këto komente Borrell i bëri sot në konferencën e përbashkët me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabic pas takimit të Këshillit BE-Serbi të Stabilizim-Asociimit.
Kryediplomati europian, Borell e ka përmendur normalizimin e raporteve Kosovë -Serbi si një nga kushtet e unionit për progresin e Serbisë në rrugën europiane. BE asnjëherë s’e ka elaboruar deri në fund çfarë i bie “normalizimi” ndërkohë që SHBA së paku në 3 vitet e fundit është duke insistuar në njohje të ndërsjellë.
“Progresi në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojnë ritmin e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE. Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë fqinjësor në mënyrë më të zgjerur më lejoni të theksoj këto në vazhdim: Nuk ka vend në Evropë për mohuesit e gjenocidit, nuk ka vend për glorifikimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës si dhe tolerimin ose përkrahjen publike për ata që mohojnë gjenocidin, festojnë krimet e luftës ose ata që minojnë integritetin territorial të vendit të tyre, jo vetëm që kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe pajtimin rajonal por ashtu s’janë në pajtueshmëri me vlerat dhe aspiratat evropaine. Ne ia thamë këto parime kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dhe ne e siguruam që ne do të vazhdojmë të përparojmë në rrugën evropiane të Serbisë”, tha Borrell.
Ai gjithashtu tha se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun duke respektuar marrëveshjet e nënshkruara.
“Ne e mirëpresim gatishmërin e Serbisë për t’u angazhuar në dialog. Nevojitet që të bëhet përparim i shpejt në procesin e normalizimit, në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara dhe në lëvizjen përpara për marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme. Ne presim nga Kosova dhe Serbia që të bëjnë progres në detyrimet e tyre të dialogut”, ka thënë Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell gjithashtu sot ka konfirmuar se emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar të hënën e 31 janarit vizitojnë Kosovën.