Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka informuar sot ministrat e Jashtëm të BE-së për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe diskutimeve që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka pasur ditëve të fundit në Prishtinë dhe në Beograd.
“I njoftova ministrat për misionin e të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili ishte atje në emrin tim, së bashku me të dërguarin amerikan, [Gabriel] Esccobar, dhe me këshilltarët e politikës së jashtme të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë”.
“Ata shkuan së bashku për të vazhduar diskutimet për propozimin për normalizimin e raporteve. Avancimi në këtë propozim do të sjellë dobi të konsiderueshme për të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë ciklin vicioz të krizave në terren dhe reduktimin e rrezikut për eskalim të mëtejmë. Presim përkushtim serioz dhe gatishmëri për angazhim konstruktiv për të siguruar avancimin në këtë propozim”, tha Borrell.