Borxhi i jashtëm i Kosovës arrin në 4.61 miliardë euro në tremujorin e tretë të 2025

Prishtinë | 07 Jan 2026 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, që përfshin borxhin publik dhe atë privat, arriti në 4.61 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 142.08 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rritjen e borxhit të jashtëm e ka nxitur kryesisht sektori privat, me kontribut prej 145.21 milionë euro, ndërsa borxhi publik u zvogëlua për 3.12 milionë euro.

Borxhi i sektorit publik në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025 arriti në 1.02 miliardë euro, duke përbërë 22.05% të gjithsej borxhit të jashtëm. Pjesa më e madhe e borxhit publik lidhet me borxhin e jashtëm të qeverisë, i cili në këtë periudhë ishte 855.82 milionë euro.

Ndërkaq, borxhi i sektorit privat arriti në 3.59 miliardë euro, duke përbërë pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm të vendit. Sipas të dhënave të BQK-së, pjesëmarrësit kryesorë në borxhin privat janë: bankat komerciale me 19.73%, kompanitë në relacion të investimeve direkte me 27.61% dhe sektorët tjerë me 52.66%. /Buletini Ekonomik/

Të ngjashme