Borxhi ndaj Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” arrin deri në 19 milionë euro, në gjithsej gjashtë komuna, ndërsa nga kompania thonë se janë duke shqyrtuar mundësitë ligjore për inkasimin e tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se janë duke u shqyrtuar mundësitë e ligjore për pjesën e borxhit, duke paralajmëruar se një pjesë e tyre tani është në procedura, qoftë në ato gjyqësore apo në përmbarim.
“Nga viti 2017 borxhet kanë qenë në komunë, sepse e ka bërë faturimin dhe inkasimin, ato borxhe nuk i dimë sepse nuk kemi qasje në data bazë. Mirëpo ne kemi borxhe si kompani jo vetëm në Prishtinë, por në gjithë regjionin ku ne shërbejmë, në gjashtë komuna diku një vlerë e borxhit 19 milionë të cilat kanë qenë të pa inkasuar ndër vite, prej vitit 2000 e tutje. Por jemi duke shqyrtuar mundësitë e ligjore edhe për atë pjesë të borxhit, mirëpo një pjesë e tyre vetëm është një procedura, qoftë në ato gjyqësorë apo në përmbarim. Ne faturimin do ta bartim si kompani do të shkojmë me obligimet që i kemi, borxhi paraprak nuk do të jetë ndoshta pjesë e faturës për shkak se nuk kemi qasje dhe nuk e dimë se si është borxhi i akumuluar në komunë, mbetet për t’u parë se cilat janë hapat e Komunës së Prishtinës”, tha Reçica.
Ai theksoi se sfidë tjetër është gjendja e makinerive dhe vështirësitë në komunikim me qytetarët për problemet me parkimet dhe kabllot e energjisë.
“Ne sistemin operativ e kemi me një sistem 24 orë në shtatë ditë të javës, pavarësisht edhe gjatë festave edhe ditëve të pushimit ne operojmë. Punojmë në tri ndërrime, i cili ndërrimi i tretë përfundon në pesë të mëngjesit. Është një sfidë në vete pjesa e mënyrës së shërbimit për shkak se ndikojnë një mori faktorësh. Fatkeqësisht gjendja e makinerive nuk ka qenë në nivelin më të mirë e më të kënaqshëm por çka është e mira tani së fundmi kemi arritur të krijojmë një flotë më të madhe të kamionëve. Jemi në pritje nga Komuna për kamionët e rijnë”, ka deklaruar Reçica për Ekonomia Online.
Reçica shtoi se KRM “Pastrimi” ka krijuar një flotë më të madhe kamionësh dhe është në pritje të kamionëve të rinj nga Komuna.
“Sfida ka edhe të tjera si në raste të caktuara në lagje të ndryshme përpiqemi të komunikojmë me qytetarët dhe të mirëkuptojnë në pjesën e parkingjeve. Përpiqemi me i njoftuar qytetarët me kohë, me i njoftuar arsyet pse nuk është shërbyer shërbimi. Në zona të caktuara kemi problem me pjesën e kabllove të rrymës që është në nivele të ulëta dhe duhet të përshtatemi për ta kryer shërbimin me kamion”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Tarifa për shërbimet e pastrimit është përcaktuar me rregulloren e re, siç tha ai me një vlerë fikse prej 6.20 cent, dhe do të shpërndahet si faturim çdo muaj.
“Tarifa për shërbime është e përcaktuar me rregulloren për mbeturina në Komunën e Prishtinës, e cila tani së fundmi ka ndryshim me të kaluarën, pastrimi nuk e ka kryer faturimin dhe nuk e ka pasur obligim faturimin dhe shpërndarjen e faktuara, sikurse nuk ka qenë përgjegjëse për inkasimin e të hyrave për këto shërbime, e njëjta është bërë nga komuna deri në janar të këtij viti. Sepse përmes ndryshimit të rregullores është autorizuar dhe është obliguar KRM pastrimi që faturat të shkojnë te qytetarët muaj për muaj dhe tarifa është fikse, 6,20 cent, dhe besoj që kjo nuk do të jetë një barrë e madhe për qytetarët, sepse tani faktuarat do të shpërndahet dhe pagesa do të bëhet çdoherë”, tha Reçica.
Reçica ka potencuar se tani janë në fazën finale duke e bërë regjistrimin e ri të klientëve të rijnë, pasi sipas tij nga qershori i vitit 2023 janë dërguar një folder me regjistrime të reja që nuk janë ende në data bazën e komunës.