Në një kohë diskutimesh të shtuara rreth buxhetit të vitit 2020, ka rezultuar se borxhi publik i Italisë është rritur në vlera rekord, pothuajse duke arritur nivelin më të lartë ndonjëherë.
Borxhi i vendit ka arritur në vlerën e 138 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë të vitit 2019, sipas përllogaritjeve bazuar tek të dhënat e bëra publike nga Banka e Italisë. Një vlerë e tillë është parë për herë të fundit në tremujorin e dytë të 2015, kur vlera rezultoi sa 138.8 për qind të saj, përcjell Telegrafi.
Së fundi, qeveria e Italisë po shqyrton buxhetin e ri, i cili pritet të paraqitet edhe në Komisionin Evropian. Administrata e kryeministrit Giuseppe Conte është zotuar për një qëndrim fiskal të butë edhe ekspansionist, i cili shmang rritjen e planifikuar më parë të taksave. Por kjo ka ndarë partitë e koalicionit, të cilat kanë dyshime se si do të financohen kostot.
Megjithatë, pavarësisht shumë përpjekjeve, politikëbërësit duket se nuk ia kanë dalë të mbajnë nën kontroll nivelin e borxhit. Normat më të ulëta të interesit, si një përpjekje e Bankës Qendrore Evropiane përsëri nuk kanë dhënë efekt dhe investitorët janë së fundi edhe më të shqetësuar rreth ekonomisë italiane. Shtuar këtu edhe faktin se qeveria duhet të negociojë buxhetin e ri me Bashkimin Evropian, në mënyrë që drafti të aprovohet.
Nga ana tjetër, situata në vend paraqitet edhe më serioze, pasi në një kohë të tillë krize, ekonomia italiane përballet me probleme edhe më të mëdha. Vetëm pak ditë më parë, instituti vendas i statistikave, ka bërë me dije se deri në fundin e vitit 2017, kohë kur datojnë edhe të fundit të dhëna zyrtare, ekonomia nëntokësore dhe e paligjshme e Italisë përbënte rreth 12.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vetëm konsumi i drogës kapte një vlerë prej 15.7 miliardë eurosh ose gati 1 për qind të ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës.