Në Bosnjë dhe Hercegovinë janë arrestuar shtatë ish-luftëtarë të policisë dhe ushtrisë nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1992.
Zyra e Prokurorit të Bosnjës ka bërë të ditur se të dyshuarit ishin ish-zyrtarë serbë të Bosnjës “të dyshuar për krime kundër njerëzimit në zonën e Banja Luka”.
“Duke vepruar me urdhër të prokurorit nga Departamenti Special për Krimet e Luftës, oficerët e policisë SIPA gjetën, identifikuan dhe burgosën disa persona”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Prokuroria.
Të dyshuarit akuzohen për burgosjen dhe torturimin e 150 civilëve boshnjakë dhe kroatë në qytetin, Donji Vakuf (Vakuf i Ulët), në pranverë dhe verë të vitit 1992, transmeton Klan Kosova.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit u arrestuan në qytetin e Banja Llukës, si dhe katër nga këta persona janë në paraburgim, shkruan Euronews.