Gjykata më e lartë e Bosnjës të premten ngriti aktakuzë ndaj tetë ish-ushtarëve serbë për krime kundër njerëzimit rreth rolit të tyre të pretenduar në vrasjen e së paku 78 civilëve boshnjakë në fazën e parë të luftës së Bosnjës në vitet e nëntëdhjeta.
Një çerek shekulli pas Marrëveshjes së Dayton-it, e cila i dha fund luftës mes serbëve, kroatëve e boshnjakëve, në të cilën u vranë rreth 100.000 njerëz, Sarajeva ende është duke i ndjekur kriminelët e dyshuar të luftës, shkruan Reuters.
Të pandehurit në këtë rast akuzohen për përndjekje të popullsisë civile boshnjake duke u bazuar në përkatësinë etnike, kombëtare dhe fetare me qëllim diskriminimi dhe për vrasje të civilëve në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, thuhet në njoftimin e gjykatës boshnjake.
Sipas prokurorëve, tetë ish-ushtarët serbë i kishin nxjerrë civilët boshnjakë nga një shkollë në fshatin Velagici, i kishin rreshtuar dhe i kishin qëlluar për vdekje së paku 78 persona në qershor të vitit 1992.
Trupat e viktimave ishin transportuar me kamionë dhe ishin varrosur në një varrezë masive, nga e cila ishin nxjerrë më 1996.
Ende nuk ka pasur komente nga ana e të pandehurve, disa prej të cilëve besohet se ndodhen në Serbi.
Lufta e Bosnjës, e zhvilluar mes viteve 1992-1995, ishte karakterizuar me përndjekjen dhe vrasjen e kroatëve dhe boshnjakëve në territoret që serbët e bosnjës i kishin shënjestruar për shtetin e tyre.